Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka qenë pritëse e promovimit të librit “E vërteta për Nolin”, të autores Entela Komnino.
Në aktivitet merrnin pjesë trupi diplomatik i akredituar në vendin tonë, autoritete të larta të kulturës e përfaqësues të medias, te cilet ndoqën paraqitjen e botimit të veçantë për autorin kompleks shqiptar Fan Noli.
Në fjalën e tij, zv/ministri i MEPJ, Etjen Xhafaj, theksoi se “E vërteta e Nolit vjen sipas të vërtetës së Shqipërisë dhe të kulturës shqipe, në një vështrim publicistik, retorik, shkencor e filologjik dhe këtë po e bën një publiciste, prej rreth 25 vjetësh aktive në gazetarinë televizive, doktore e shkencave të letërsisë’.
“Fan Noli, që ka ushtruar për një periudhë edhe detyrën e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, por edhe Kryeministër i saj, ‘mund të quhet një nga ‘autorët’ e mëdhenj shqiptarë të vetë Shqipërisë, kur i kërkoi me sukses presidentit të atëhershëm amerikan Uillson të ruajë mëvetësinë e vendit të vogël“, theksoi Xhafaj.
Ndërsa autorja e librit, Dr. Entela Komnino, tha se referimi i Fan Nolit është një model i duhur në kushtet e diskutimit mbarëshqiptar të vlerave shqipe, edhe pse kanë kaluar 100 vjet nga koha e shkrimeve të tij publicistike. “Në këtë kuptim, rruga për të kuptuar të vërtetën e Nolit është e njëkohshme me atë të së vërtetës së shqipes. Studimi i publicistikës së tij rezultoi se publicistika shqiptare e asaj kohe bëri gjithë funksionet e shtetit të munguar shqiptar, duke u ngritur në autoritetin e ruajtjes së Shqipërisë nga asgjësimi’, tha Komnino.
Ish-ministri i Jashtëm dhe historiani Paskal Milo, vlerësoi studimin e figurës së Nolit në një kontekst më të gjerë historik se ai i shqyrtimeve publicistike e gjuhësore. “Këto studime me përfundime të reja e konkrete janë të nevojshme për të njohur historinë e vërtetë te kontributeve të shquara shqiptare”, theksoi Profesor Milo. /b.d