Polici, i arrestuar gjatë sekuestrimit të drogës disa ditë më parë në Vilun të Velipojës, ka tentuar të mbrojë deri në fund aktivitetin e paligjshëm ku ishte përfshirë, duke tentuar të korruptojë komandantin e FNSH Shkodër para arrestimit. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se efektivi i policisë mund të akuzohet edhe për akuzën e korrupsionit.
Një pjesë e kanabisit të kapur në këtë operacion ishte marrë në zonën e Lumit të Vlorës. Enriko Zyle, punonjësi i policisë i pragosur në Vilun të Shkodrës për sasinë e drogës së sekuestruar rreth 1.5 ton, jo vetëm ishte i përfshirë në trafikun e drogës, por dhe siguronte anëtarët e tjerë të grupit se nuk do tu ndodhte asnjë gjë, pasi ai kishte njohje në policinë e Shkodrës. Madje në momentin e arrestimit, ai ka tentuar të korruptojë me para kolegët e tij, që do t’i vinin prangat.
Korruptimi i policit
Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë të ditur se, Zyle, Punonjës në Drejtorinë e Kufirit dhe të Migracionit Tiranë i ka premtuar një shumë të hollash komandantetit të FNSH-së, Shkodër që të tërhiqte forcat e policisë, pasi në të kundërt këtë histori do t’ia kthente në personale.
Fillimisht punonjësi policisë, kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Golf”, në afërsi të hotelit ku u gjet lënda narkotike, por u kap pasi humbi kontrollin dhe ra në kanal. Sipas burimeve të policisë, ai ecte në rrugë me drita të fikura, në mënyrë që tu shpëtonte ndjekjes nga policia.
Por, burime nga organi i akuzës pohojnë se paligjshmeria e 42-vjeçarit Zyle ka shkuar deri në nxjerrjen e armës. Zyle u shoqërua forcërisht, duke mospranuar të prangoset dhe duke mos e dorëzuar armën e shërbimit. Enriko Zyle është vëllai i zv/komandantit të kufirit në Shkodër Ndrek Zyle.
Droga drejt italisë
Një pjesë e amdhe e sasisë së drogës së sekuestruar ishte siguruar në Malësine e Dukagjinit, ndërsa pjesa tjetër kishte ardhur nga zona e Bregut të Lumit në qarkun e Vlorës. Sipas hetimeve të deritanishme, lënda narkotike ishte mbledhur, magazinuar në zonën e Vilunit, duke u bërë gati për t’u transportuar në rrugë detare drejt brigjeve Italiane.
Sot jepet masa
7 të arrestuarit do të dalin sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për caktimin e masës së sigurisë. Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për të gjithë.
Të arrestuarit janë Jaho Berdo, drejtues i furgonit ku u gjet droga; Enriko Zylo, efektiv Policie; Sokol Ujkaj, që kishte në administrim një banesë ku fshihej droga; Gjovalin Ndoji, i cili udhëtonte me policin; Arbër Bozhanaj, Genti Dano, Fation Merko dhe Dervish Gjolekaj, të tre nga Vlora, që mendohet se janë marrë me kultivimin dhe transportin e drogës. Gjithashtu, janë edhe tre persona në kërkim.
a.ç