Një ditë më parë në ambjentet e QSUT ndërroi jetë një 74-vjeçar i dënuar për vrasjen e vajzës së tij. Ngjarja kishte ndodhur në vitin 1998 ndërkohë që u zbulua vetëm në vitin 2007. Autor i krimit të rëndë ishte shtetasi Brahim Facaj i cili ndërroi jetë një ditë më parë. Ai u akuzua së bashku me gruan e dytë, njerkën e viktimës.
Ishte pikërisht kjo e fundit ajo e cila denncoi krimin afro 10 vite më vonë. Shtettasi Brahim facaj vrau vajzën pasi kjo e fundit kishte braktisur bashkëshortin dhe kishte shkuar në Itali. Nga fjalët e përhapur, babai dyshonte se ajo punonte si prostitutë. Ai i kërkoi të qëndronte në shtëpinë e tij të rrisnin djalin nga martesa, por refuzoi. Në grindje e sipër ai e vrau vajzën me një send të fortë duke e goditur në kokë.
Trupin e gropoi pranë banesës në bashkëpunim me gruan e dytë Nurie Facaj e cila dëshmoi për krimin e rëndë në vitin 2007. JavaNews posedon vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë e cila lë në fuqi dënimin e babait vrasës me 25 vite burg si dhe uljen e dënimin për bashkëhsorten e tij me 5 vite, nga 15 që ishte dhënë në gjykimin në themel.
Më poshtë, faktet e listuara nga prokuroria në dosjen hetimore ku përshkruhet krimi me detaje:
- Rrethanat e faktit
Nga shqyrtimi gjyqësor në gjykatën e apelit rezulton të jenë provuar këto rrethana fakti:
- Të gjykuarit Brahim Facaj dhe Nurije Facaj janë bashkëshortë dhe banojnë në fshatin Drisht, Komuna Postribë, Qarku Shkodër. Për të gjykuarin Brahim Facaj është martesa e dytë, ku nga martesa e parë me shtetasen Sanije Tafa, e cila ka vdekur, ka pasur dy fëmijë: Zogë Facaj dhe viktimën Afërdita Facaj. Pas vdekjes së gruas së parë është martuar me të gjykuarën Nurije Facaj, me të cilën ka dy fëmijë të tjerë: Fiqiri Facaj dhe Vjollca Facaj.
- Për shkak të moshës së miturisë të dy vajzat e të gjykuarit janë rritur nga e gjykuara Nurije deri sa ato janë martuar. Pas martesës së vajzës së madhe Zogë Facaj me ndërmjetësimin e saj në vitin 1992 është martuar edhe viktima Afërdita me shtetasin Bejto Dyli, banor i fshatit Guri i Zi të Rrethit Shkodër. Nga kjo martesë viktima ka lindur dy fëmijë ku vajza, e para ka vdekur e porsa lindur, ndërsa në vitin 1994 ka lindur djalin Nevil Dyli. Meqenëse marrëdhëniet bashkëshortore nuk i kishte të mira, viktima së bashku me djalin e saj është larguar në Itali ku ka qëndruar për rreth dy vjet e gjysëm.
- Në vitin 1998 viktima së bashku me fëmijën është kthyer në Shqipëri dhe ka shkuar në shtëpinë e të gjykuarve. I gjykuari Brahim Facaj me autoritetin e babait i ka kërkuar viktimës që të mos largohej më në Itali, por të qëndronte në Shqipëri në shtëpinë e tij ku të rriste djalin. Për shkak të mentalitetit që kishte dhe të zakoneve të zonës i gjykuari e ndjente veten të fyer që vajza e tij ishte larguar nga shtëpia e burrit pa lejen e tij, si dhe ishte larguar në Itali, ku sipas zërave që qarkullonin në rrethin e familjarëve kishte punuar si prostitutë.
- E gjykuara Nurije Facaj ka asistuar gjatë gjithë kohës në debatin që bashkëshorti i saj Brahim Facaj ka patur me vajzën e tij dhe ka qenë në dijeni të mendimit që ai kishte për sjelljen e vajzës.
- Viktima nuk rezulton t’i jetë bindur autoritetit të të gjykuarit dhe ditën e vrasjes është larguar nga banesa. Në darkë vonë në një datë të papërcaktuar në vjeshtën e vitit 1998 i gjykuari Brahim Facaj është kthyer në shtëpi. Pasi nuk ka gjetur viktimën në shtëpi, ka pyetur të gjykuaren Nurije se ku kishte shkuar ajo. Fakti që viktima ishte larguar pa lejen e tij e ka nervozuar dhe me mbërritjen e saj në shtëpi në orët e vona midis tyre ka patur debat. Shkak ka shërbyer fakti që viktima ishte larguar nga shtëpia pa leje dhe kthimi në orët e vona, si dhe deklarimi i saj se ajo do të ikte përsëri në Itali.
- Gjatë debatit i gjykuari Brahim është acaruar dhe për pasojë e ka goditur viktimën Afërdita në pjesën e pasme të kokës me një send të fortë hekuri. Si rezultat i dëmtimeve të shkaktura në masën trunore i është shkaktuar vdekja e menjëhershme. Gjatë debatit dhe goditjes ka qenë prezent dhe e gjykuara Nurije Facaj, e cila nuk ka marrë pjesë me veprime aktive. Pasi kanë konstatuar vdekjen, të gjykuarit kanë transportuar trupin e viktimës në afërsi të shtëpisë, ku edhe e kanë varrosur.
- Të gjykuarit Brahim dhe Nurije Facaj kanë fshehur gjurmët e krimit pas vrasjes duke përhapur fjalë se viktima ndodhej jashtë shtetit në Itali dhe se nuk kishin asnjë kontakt me të. Gjatë kësaj kohe e gjykuara Nurije Facaj është kujdesur për djalin e viktimës, të cilit i është thënë se nëna e tij ndodhej ne Itali.
- Vrasja e viktimës Afërdita Facaj është mbajtur e fshehur prej të gjykuarve të cilët ishin të vetmit persona të pranishëm dhe që kishin dijeni fillimisht për vrasjen, ndërkohë që fëmija e viktimës për shkak të moshës nuk ka kuptuar se çfarë kishte ndodhur.
- Me kalimin e viteve në rrethin familjar janë përhapur zëra për vrasjen prej të gjykuarit Brahim të vajzës së tij Afërdita. Fakti i vrasjes dhe i varrosjes së saj mbapa shtëpisë është mbajtur i fshehur nga opinioni për shumë vite.
- Në datë 09.03.2007 e gjykuara Nurije Facaj është paraqitur në seksionin e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, ku ka deklaruar vrasjen prej saj të vajzës së bashkëshortit si dhe të vendit se ku është varrosur kufoma.
- Prokuroria, në bazë të këtij kallzimi, ka filluar çështjen penale për vrasjen e shtetases Afërdita Facaj. Në bazë të të dhënave të siguruara nga e gjykuara Nurije Facaj është ushtruar kontroll në banesën e vjetër të të gjykuarit Brahim Facaj, ku në një distancë prej 20 (njëzet) metrash janë gjetur eshtrat e një kufome në një stad të zhvilluar të dekompozimit. Në bazë të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor nga kqyrja që i janë bërë eshtrave, janë konstatuar disa thyerje të kafkës së kokës në anën e majtë dhe të pasme të kafkës dhe shkaku i vdekjes është kontuzioni i trurit. Gjithashtu, në bazë të analizës së ADN-së provohet se nga krahasimi i strukturës gjenetike të eshtrave me ato të të gjykuarit Brahim Facaj ka një përputhje, e cila provon se ato i përkasin vajzës së tij Afërdita Facaj.
- Në kushtet kur vdekja e Afërdita Facaj ka ardhur jo për shkaqe natyrore, por për shkak të dëmtimeve trupore të marra me mjet të fortë mbretës, dëmtime këto të papajtueshme me jetën dhe që kanë sjellë vdekjen, prokurori ka filluar çështjen penale.
- Prokurori, në përfundim të hetimeve ka ngritur ndaj të gjykuarve akuzën e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 78/1 dhe 25 të Kodit Penal./JavaNews/a.m.