Presidenti amerikan, Donald Trump, tha të shtunën se marrëveshja me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për Sirinë, do të shpëtojë shumë jetë të njerëzve, pasi të dy liderët u takuan në samitin Azi – Paqësor, ndërsa presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, vlerësoi se marrëveshja është “jashtëzakonisht e rëndësishme”. “Ne u pajtuam shumë shpejt”, u tha Trump gazetarëve në aeroplanin presidencial, Air Force One, derisa largohej nga samiti, Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), i mbajtur në pushimoren Danang në Vietnam dhe ka shtuar se “do t’i shpëtojë numër të madh të njerëzve”. Këto komente u bënë lidhur me marrëveshjen e shpallur nga Kremlini, e të publikuar në faqen e tij në Internet.
Ndaras, zoti Putin u tha gazetarëve në fund të samitit, se deklarata e përbashkët është “jashtëzakonisht e rëndësishme” dhe i konfirmon parimet e luftës anti-terror. Në deklaratën e përbashkët të dy presidentëve theksohet se Trump dhe Putin janë pajtuar, në margjina të samitit APEC, se për Sirinë është e nevojshme zgjidhja politike dhe se ata do t’i vazhdojnë përpjekjet për të luftuar kundër grupit militant, Shteti Islamik (IS). Rusia dhe Shtetet e Bashkuara pajtohen se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin në Siri, shkruan në tekstin e deklaratës së përbashkët.
Disa runde të bisedimeve në Gjenevë, të sponsorizuara nga Kombet e Bashkuara, ndërmjet qeverisë së Sirisë dhe opozitës, deri tash kanë dështuar ta ndalin luftën civile në Siri, nga e cila prej marsit të vitit 2011, janë vrarë më se 320 mijë vetë, ndërsa janë zhvendosur miliona të tjerë.
Megjithëqë, Shtëpia e Bardhë, pat thënë se nuk ishte planifikuar takim zyrtar, Trump dhe Putin, po ashtu, janë përshëndetur me shtrëngim të duarve mbrëmë në darkë.
“Ne kemi folur herë-pas-herë gjatë kësaj tryeze të rrumbullakët. Duket se ne kemi ndjenjë shumë të mirë për njëri-tjetrin dhe marrëdhënie të mira, duke pasur parasysh se ne nuk e njohim mirë njëri-tjetrin”, tha Trump dhe ka shtuar se ai dhe Putin i kishin pasur dy ose tri shkëmbime shumë të shkurtra të fjalëve.
Më herët Kremlini tha se deklarata për Sirinë ishte koordinuar nga ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, dhe sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, në mënyrë speciale për takimin në Danang. Zoti Trump tha se Putini e ka përsëritur se ai nuk është përzier në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar, në të cilat zoti Trump ishte zgjedhur president. Trump theksoi se raportet e mira me Rusinë janë të rëndësishme.
“Në fakt do të ishte gjë shumë e madhe…pasi ai realisht mund të na ndihmoj neve me Korenë Veriore. Ne kemi problem të madh me Korenë Veriore dhe Kina po na ndihmon”, tha Trump dhe ka parashikuar se “nëse Rusia na ndihmon ne, derisa këtë e bënë Kina, atëherë ky problem do të zgjidhjet, shumë më shpejt”, përgatiti Express. (b.an)