Kështu ka nisur një artikull në “The Economist”, që riemërtimin e terminaleve e konsideron mënyrë për t’i bezdisur e për t’i shqetësuar fqinjët. Grekët në vitin 1992, emërtuan aeroportin “Macedonia”. Greqia thotë se emri i Maqedonisë nënkupton territorin e asaj pjese historike të Maqedonisë që gjendet në Greqi. Por, maqedonasit më pas në vitin 2007 ndryshuan emrin e aeroportit të Shkupit në “Aleksandri i Madh”, transmeton Koha.net.
Megjithatë, Qeveria e Maqedonisë kërkon të ketë marrëdhënie të mira me Greqinë, prandaj riemërtimi i këtij aeroporti edhe tani mund të jetë i mundshëm.
Hapja e aeroportit “Franjo Tugjman”, në Zagreb, kryeqyteti i Kroacisë, u bë për hir të Tugjmanit, politikan dhe historian kroat i cili pas pavarësisë nga Jugosllavia u bë presidenti i parë kroat dhe shërbeu për vendin deri në vitin 1999 kur edhe vdiq. Ai luftoi, siç shkruhet në artikull “në një luftë të egër me serbët e Kroacisë”.
Viktima të spastrimit etnik ishin të afërmit e serbit më të njohur në botë, Nikola Tesla. Tesla lindi serb në vitin 1856 në atë që sot është Kroaci, por emigroi në Amerikë. Të dyja palët, serbët dhe kroatët, thonë se ai ishte i tyre.
Por që nga viti 2006, aeroporti i Beogradit ka ngjall shqetësime të mëdha për një numër të konsiderueshëm të kroatëve, vetëm për shkak të emrit që mban aeroporti, prandaj edhe mund të ketë pretendime për t’i ndërruar emrin.
Edhe pas tetëmbëdhjetë vitesh të përfundimit të luftës në Kosovë, akoma nuk mund të fluturosh nga aeroporti “Nikola Tesla”, tek “Adem Jashari”, për nder të cilit është emërtuar aeroporti i Prishtinës në vitin 2010, transmeton Koha.net.
Jashari ishte një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili vdiq bashkë me dhjetëra familjarë të tij pas rrethimit të shtëpisë së tij nga serbët në vitin 1998. Disa emra të aeroporteve nuk kanë ndryshuar, për shembull, në Bosnjë, aeroporti i Sarajevës mbetet me emrin e vjetër. Në vitin 2005, një përpjekje për ta ndryshuar atë në Alija Izetbegoviq, udhëheqës i luftës së myslimanëve në Bosnjë, dështoi. Edhe në Podgoricë, emri mbetet i njëjtë. (b.an)