Nga Armando Meta
Javët e fundit kanë nxjerr në pah sulmet e paprecedenta kundër Policisë së Shtetit si nga ana e opozitës ashtu edhe të segmenteve në institucionin e prokurorisë. E gjithë kjo stuhi sulmesh të verbale kundër Policisë së Shtetit, pa çarë kokën për cënimin e sigurisë kombëtare në vend, të pronave apo të jetës së qytetarëve, ka sjellë jo pak problematika.
Nisja e zbatimit të vetting-ut, si dhe paralajmërimi për një seri operacionesh antikrim, antidrogë dhe sidomos shënjestrimi i pasurive të vëna në rrugë kriminale dhe të pajustikuara, ka sjellë jo pak sekëlldi si në qarqet politike, ato të drejtësië ashtu edhe të krimit. Përpjekjet për të thërrmuar disa prej institucioneve më të rëndësishme të shtetit, ku ndër to është edhe Policia, nga njëra anë shpreh dëshpërim politik, nga ana tjetër edhe papërgjegjshmëri, pasi roli i Policisë nuk ka të bëj thjeshtë me fate politike të individëve të veçantë, por ka të bëjë me qytetarët e këtij vendi që kanë vendosur të banojnë e të rrisin fëmijët e tyre në Shqipëri e jo në Hollandë p.sh.
Mjafton të shikosh dy krerët e komanduar të opozitës se si trashin zërin, sillen si të fortë, kërcënojnë me çfarë t’u vi ndër mend, marrin poza musoliniane, vetetiketohen si kalorës të luftës kundër krimit, duke lidhur emra të veçantë me të gjithë Policinë e Shtetit. z. Basha ka qenë ministër i Brendshëm dhe e di minimalisht që sulmet në bllok kundër Policisë më së shumti shkojnë në favor të paligjshmërisë.
Nga ana tjetër kemi edhe një prokurori, e cila rend të marrë flamurin kundër krimit, prokurorët e cilës mësë shumti u shndërruan në kameramanë që dekonspironin aksionet e policisë, në përpjekje për të nxjerrë në pah se është ajo që po e ‘tund nga themelet’ krimin dhe jo Policia”. është kjo panoramë që nuk e ndesh në asnjë vend normal të botës, ajo që ka rritur edhe shqetësimin e vendeve të BE-së, për sulmet kundër Policisë së Shtetit. Ambasadorët e të gjithë vendeve të BE-së, kanë zhvilluar një takim prejk 2 orësh me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, në të cilin është diskutuar për luftën kundër krimit, Vettingun dhe strukturën e re në Policinë e Shtetit, Task Forcën.
“2 orë takim konstruktiv me Ambasadorët e BE. Priortetet: Lufta kundër Krimit të Organizuar, Vetingu, Task Forca. Mbështetje totale. Flm partnereve” ka zbardhur Xhafaj me anë të një mesazhi thelbin e këtij takimi. Shprehja e mbështetjes nga BE për Policinë e Shtetit, tregon qartazi se opozita në disa drejtime e ka kaluar masën në përpjekjet e saj për të kriminalizuar të gjithë trupën policore në Shqipëri.
Në këto 5 vite sulmet ndaj policisë kanë qenë refren i PD, e tashmë edhe i LSI. Por ajo që duket se ende nuk ka kuptuar Basha dhe Kryemadhi është se shqiptarëve kur u “bën si i fortë” nuk të votojnë edhe për kunj e jo më të të mbështesin.
Përpjekja për t’i dhënë oksigjen Llallës pas 3 dhjetorit nuk do të thotë që të bëni ‘kurban’ Policinë.