Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit mbështet idenë e hedhur nga Kokëdhima për ta hequr kanabisin nga duart e krimit. Sipas tij, Shqipëria dhe Italia janë bashkëfajtore për trafikun e madh të kanabisit që po kryhet
Ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shtetit, Fatos Klosi thotë se kanabisi në vend duhet të legalizohet. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Klosi thotë se situata është e tillë që më e ndershme do të ishte legalizimi i kanabisit dhe nga ky aktivitet të përfitojnë të gjithë, e jo t’i lihet në dorë trafikantëve. Sipas Klosit, prodhimi i kanabisit në vend mbështet krimin në Itali, ndërsa në vend lë shumë pak fitime. Ndërkaq, ish-kreu i SHISH ka komentuar edhe problemin e fikjes së radarëve që bëjnë vëzhgimin e hapësirave detare. Ai thotë se fikja e radarëve vetëm lejon kalimin e gomoneve dhe nuk krijon probleme të tjera. Sipas tij, ajo që duhet të bëjë Ministria e Mbrojtjes është ta analizojë situatën dhe të evidentojë përgjegjësit.
Ka kohë që diskutohet dhe ka ngritur dyshime jo të vogla fikja e radarëve që bëjnë vëzhgimin e hapësirave detare. Opozita ka akuzuar maxhorancën se kjo është bërë qëllimisht për të lejuar trafikantët e drogës të kalojnë ngarkesat pa u trazuar. Ju si e gjykoni faktin e fikjes së radarëve?
Mendoj se ne, me radar ose pa radar jemi po njësoj. Gjëja më e madhe që do të ndodh është se do ikin tre gomone. Kjo çështje si shumë të tjera përdoret politikisht. Më vjen keq që çdo lloj gjëje, çdo lloj defekti që e ka administrata shqiptare, e ka shteti shqiptar shfrytëzohet politikisht. Unë absolutisht nuk po justifikoj njeri. Nëse kanë ndodhur ato gjëra siç thuhet, që flasin në telefon trafikantët dhe ata mbyllin radarët, kjo është për të vënë kujën. Kjo do të thotë se punonjësit e shtetit janë të korruptuar. Të shkojë urdhri nga ministri i Brendshëm deri tek ai që ka butonin e radarëve kalon shumë njerëz. Ndaj më duket e paarsyeshme të trajtohet në këtë mënyrë. Por që është korruptuar një punonjës, që trafikantët i kanë dhënë ca para dhe ndoshta i japin vazhdimisht për shërbimin që ai iu bën, këtë e pranoj. Në Shqipëri ka shumë të korruptuar. Çdonjëri që ka një gjë në dorë do të përfitojë nga ajo gjë, edhe njerëz të rëndësishëm e jo më operatorët e radarëve që janë ushtarak të zakonshëm. Është një zinxhir i gjatë komandimi i radarëve. Do të ishte një diskreditim i jashtëzakonshëm për ministrin nëse ministri do t’i thoshte ministrit të Mbrojtjes, ministri do t’i thoshte zv.ministrit, pastaj është shefi i shtabit etj. Pra, është një zinxhir i gjatë që një urdhër të qarkullojë deri tek ushtaraku që të fikë radarin. Nga kjo pikëpamje, mendoj se ai që ka botonin mund të jetë i korruptuar. Pastaj, vetëm nëpër tre njerëz të kalojë si informacion, si urdhër të gjitha e marrin vesh.
Si e komentoni faktin, që të paktën zyrtarisht nuk është njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes të jetë marrë ndonjë masë për ata që mund të kenë fikur radarët?
Kjo mund të shtohet në këtë mënyrë: është analizuar ndonjëherë kjo situatë për tu dhënë përgjigje se po, u morën masa ose jo nuk ka ndodhur dhe janë të gjitha gënjeshtra. Kjo duhet bërë. Unë jam marrë gjithë jetën me aparate dhe e di shumë mirë se çfarë është një radar dhe e di sa i komplikuar është dhe e di se ne nuk e mirëmbajmë dot. Të gjitha aparaturat e vështira në përgjithësi, këtë e them me kompetencë, në të gjithë botën mirëmbahen nga firmat prodhuese. Pra, ai që blen aparaturën nuk mendon vetëm për çmimin e aparaturës, por mendon se çdo vit duhet të shpenzojë 10 për qind të çmimit për mirëmbajtjen. Gjithë aparaturat e komplikuara mirëmbahen nga ai që e ka prodhuar sepse vetëm kështu e kanë garancinë që sa do të jenë në punë do të funksionojnë mirë. Nëse këta mesa sa di unë i kanë blerë tek “Lockheed Martin Global Incorporated” (SHBA), që është një firmë shumë e mirë, por që pastaj kanë caktuar një firmë shqiptare që do i mirëmbaje. Për mua kjo është e mbaruar. Nëse është e vërtetë, është gabim. Kjo mendoj unë se është për çështje buxheti për t’i mirëmbajtur nga firma prodhuese. Problemi është që këtu ka neglizhenca pa fund, gabime pa fund, ka varfëri pa fund. Po nuk pate ndarë para për radarët në fund të vitit ai radar pas ca kohësh nuk do të punojë më. Nuk është e aq e qartë se çfarë ka ndodhur, janë probleme teknike. E domosdoshme është t’i bëhet një analizë. Ky rast tregoi se janë ca gjëra që nuk shkojnë.
Ka një pretendim se fikja e radarëve ia ka lehtësuar rrugën trafikantëve të drogës. Ju si mendoni?
Janë italianët në Sazan që e kanë radarin. Italianët janë më të interesuar për trafikun se sa ne. Italianëve u shkojnë tonelatat me kanabis. Për ne është mall që shitet, sjell ca para mbrapa dhe kaq është. Është shumë më e rëndë situata në Itali, në këtë aspekt. Atje mbështet krimin, sepse droga pak para lë në Shqipëri. Italianëve, radarët po u punojnë prandaj dhe ata e ndjekin më mirë situatën. Probleme të këtij lloji ka pa fund në Shqipëri, por përdoren atëherë kur u intereson politikisht. Politika duhet të merret me gjëra serioze, të kritikojë problemin ekonomik, të kritikojë koncesionet etj.
Çfarë problemesh krijon fikja e radarëve?
Sa kohë që nuk punon radari ngelesh, nuk ka informacion. Radari shërben për të dhënë informacion, për të kontrolluar hapësirën detare, kush po hyn në ujërat tona, kush po i afrohet, kush del, kush ikën. Deri më tani unë nuk mbaj mend që të jetë krijuar ndonjë incident, vetëm krimi është problem. Krimi është sot armiku i përbashkët i të gjithëve, të paktën në Adriatik. Të gjithë vendet që lagen nga Adriatiku janë anëtare të NATO-s dhe në këtë kontekst radari nuk ka ndonjë përdorim të rëndësishëm se po na mbron nga ndokush. Problemi është tek kapja e gomoneve. Këtu u mboll kanabis e u përdor në Itali. Nëse flitet për shtete janë të dy bashkëfajtorë (Shqipëria dhe Italia) për faktin se këtë gjë të keqe, të shëmtuar e merr rinia, në një kohë që ka vende që e kanë legalizuar. Edhe në Shqipëri ka propozime për të hedhur këtë hap dhe nuk është ndonjë gjë kaq e madhe. Zoti Kokëdhima që mesa di unë është nga ata që ka kërkuar. Mbase ka patur të drejtë, që të legalizohet kanabisi në vend. Ky është një kufi mes asaj që po ndodh, pra këtij krimi të jashtëzakonshëm që quhet dhe asaj që mund të legalizohet. Kjo është gjëja e madhe që po ndodh.
Ju jeni pro legalizimit e kanabisit?
Unë jam për legalizimin. Me këto situata që u krijuan, të paktën këtë vit, është më e ndershme të legalizohet.
Si e përshkruani situatën?
Situata është kjo që pretendohet kanabizim të vendit. Po kritikohemi nga të gjithë aleatët. Thuhet që po fitojnë ata që organizojnë këtë aktivitet, pra trafikantët dhe fshatarët kanë ngelur pa para. Në këtë situatë më mirë ta mbjellin fshatarët vetë dhe të fitojnë të gjithë. Megjithatë, nëse do të mbillet legalisht do të bjerë çmimi dhe nuk do të jetë ndonjë përfitim i madh, por do jetë si produktet e tjera që prodhohen në vend. Holanda e prodhon, disa shtete të SHBA-së e kanë legalizuar. Megjithatë, organet e prokurorisë duhet t’i shkojnë deri në fund kësaj problematike, sepse është vepër penale, është krim. Këtë vit është bërë një zhurmë e madhe dhe fakti është që këtë vit shtetit i doli situata nga duart.
ma.me