Stadiumi “San Siro” ka shpallur “sold out” me rastin e sfidës Milan-Juventus, duke qenë se të gjitha biletat e nxjerra në shitje tashmë kanë avulluar.
“Parashikohet një atmosferë e denjë me atë të ‘Superboul”-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është parashikimi i medias italiane. Biletat janë ezauruar të gjitha në çdo rend vendi (ulëseje) dhe biletaritë do të jenë të mbyllura ditën e sotme, pasi 78 mijë e 328 të nxjerrat në treg tashmë e kanë të gjitha nga një “pronar”. Këtë fakt e konfirmon vetë klubi i Milanit në uebsajtin e tij zyrtar.
TRANSMETIMI DHE AUDIENCA – Përveçse një arkëtim i rëndësishëm për klubin e Milanit në aspektin monetar, kjo sfidë mund të jetë një nga reklamat më të denja të këtij sezoni të Serisë A, duke parë edhe interesimin e madh që kanë shprehur televizionet e vendeve të ndryshme të botës.
Sipas të dhënave që ofrohen nga organet e transmetimit, supersfida Milan-Juventus do të shihet në 200 shtete të ndryshme të globit, përfshirë këtu edhe vende si Madagaskari, India, Kazakistani, apo edhe Afganistani e Pakistani. Mesatarisht, këtë duel do ta shijojnë 730 milionë sportdashës në të gjithë botën, ndërsa vetë impianti i “San Siro”-s do të jetë një kabinë gjigante transmetimi.
Tribuna e gazetarëve do të jetë e mbushur në kapacitetin e saj maksimal, me 250 telekronistë, 300 specialistë transmetimi të shpërndarë në të gjithë impiantin, 50 gazetarë dhe për një total prej 100 telekamerash të ndryshme, të cilave nuk do t’u shpëtojë asnjë detaj në lidhje me atë që do të ndodhë në fushë, në tribuna, apo edhe deri te pankinat e trajnerëve.
SA SHUMË “VIP”-a – Të paktën duke parë shpërndarjen e biletave dhe ftesave të nderit, edhe tribuna “VIP” do të ketë shumë figura të njohura të të gjitha sferave të jetës. Nuk do të mungojnë trajneri i Kombëtares, Ventura dhe menaxheri i “axurrëve”, Oriali.
Të pranishëm do të jenë presidenti i rajonit të Lombardisë, Roberto Maroni, ashtu sikurse dy ish-administratorët e Milanit, Adriano Galiani dhe Barbara Berluskoni, përveçse Ivo Ferrianit, anëtari i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Ndërkohë, nuk do të mungojnë ish-legjenda kuqezi si Barezi, Gali, Masaro, Ladini, Vierkovud, Odo, Vieri, Karbone, Jankulovski e Favali.
Në të tilla raste nuk mungojnë edhe aktorë e prezantues si Teo Teokoli, Diego Abadantuano, Simona Ventura e Pamela Prati. Me pak fjalë, një listë spektatorësh e një niveli të lartë, siç parashikohet që të ofrojë edhe dueli mes Milanit dhe Juventusit.