Pa llogaritur efektin që do të ketë aplikimi i TVSH në biznesin e vogël, Paketa Fiskale 2018 që Ministria e Financave ka shpërndarë dje për organizatat e biznesit do të ketë efekt pozitiv në të ardhurat e buxhetit të vitit të ardhshëm me mbi 3,3 miliardë lekë ose 25 milionë euro. Kjo barrë taksash do të paguhet kryesisht nga qytetarët përmes taksës së rritur të pronës, purove dhe makinave të luksit.
Nuk përfshihet në paketën e këtij viti, premtimi për të ulur tatimin mbi pagat e larta mbi 130 mijë lekë në muaj, nga 23% në 18%. Ndërsa lehtësohet barra tatimore për bizneset e turizmit dhe IT dhe do të vijojë ulja e taksave doganore.
Prurjet më të mëdha pritet të vijnë nga ndryshimi i tatimit mbi pronën. Taksimi i pronave nga vlerë fikse për sipërfaqe që është aktualisht do të vilet në përqindje të vlerës duke nisur nga viti 2018. Në bazë të një kadastre të re elektronike, ky ndryshim do të sjellë të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit me rreth 2.4 miliardë lekë me 2018. Ministria e Financave shpjegon se, rreth 90% e të gjitha pronave është e regjistruar në ZRPP, dhe të gjitha pronat e regjistruara e kanë një vlerë në regjistrin e pronave. Po kështu, në bazë të Ligjit “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” vlera është e rivlerësuar dhe e njëjtë me vlerën e tregut.
Ndërsa mbi 1 miliard lekë më tepër pritet të arkëtohen nga rritja e akcizës së cigarillove, edhe kjo një taksë që vilet nga konsumatorët pasi do të reflektohet në çmimin final të produktit. Projektligji i ri për akcizat që propozohet për miratim, parashikon rishikimin e nivelit të akcizës së cigareve për vitin 2018, nga 5750 lekë/1000 copë që ishte parashikuar në kalendar, në 5850 lekë/1000 copë.
Gjithashtu një efekt pozitiv prej 19 milionë lekësh në të ardhurat buxhetore ka përfshirja në taksën e makinave të luksit të automjeteve 6+1 vende. Ministria e Financave shpjegon se kërkesa për këtë ndryshim është bërë nga DPTSHRR në cilësinë e agjentit që mbledh taksën e regjistrimi fillestar dhe taksën e përvitshme për automjetet luksoze. Ky institucion ka përcjellë shqetësimin lidhur me kërkesën e pronarëve të mjeteve për të bërë ndryshim konstruktiv të mjeteve të cilët kanë cilindratë më të madhe më të madhe se 3000 cm³; ose vlerën/çmimin të barabartë ose më shumë se 5 000 000 lekë, lidhur me numrin e vendeve duke kërkuar uljen nga 4+1 në 6+1. Kjo kërkesë bëhet me qëllim shmangien e kësaj takse.
Efekt negativ në të ardhura me 59 milionë lekë e ka ulja e tarifave doganore, si rezultat i uljes së tarifave doganore për një seri artikujsh si detyrim nga anëtarësimi në Organizatën Botërore të tregtisë. Ndërsa 93 milionë lekë parashikohet të jetë efekti negativ që do të ketë përjashtimi nga tatimi mbi fitimin e hoteleve dhe bizneseve të IT./monitor