Kryetarja e Parlamentit të Katalonjës, Carme Forcadell tha dje se masat që ka ndërmarr qeveria spanjolle për shkarkimin e qeverisë katalonase dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, janë një grusht-shtet dhe një sulm ndaj demokracisë.
Siç raportojnë mediat lokale, gjatë një fjalimi televiziv, ajo është shprehur e përkushtuar për mbrojtjen e sovranitetit të Parlamentit katalon, transmeton kp.“Është një grusht-shtet autoritar brenda një shteti anëtar të Bashkimit Evropian”, tha ajo, duke shtuar se kryeministri spanjoll kishte për qëllim “t’i japë fund një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike”.
Ndërkaq, gati gjysmë milioni qytetarë katalonas, me në krye presidentin e Katalonjës Carles Puidgemont, pushtuan dje qendrën e Barcelonës për të kërkuar pavarësinë, pasi qeveria qendrore kërkoi shkarkimin e ekzekutivit katalonas.
Sipas forcave të rendit në qendër të Barcelonës janë mbledhur rreth 450000 manifestues.
Manifestimi i parashikuar fillimisht për të kërkuar lirimin e dy liderëve, Jordi Cuixart, të shoqatës “Omnium Cultural” dhe Jordi Sanchez, të Asamblesë Kombëtare Katalonase (ANC), të burgosur për kryengritje, ndryshoi krejtësisht pas deklaratave të fundit të Madridit.
Shefi i qeverisë spanjolle, Mariano Rajoy i kërkoi Senatit shkarkimin e qeverisë indipendentiste për të organizuar zgjedhje rajonale brenda gjashtë muajve.Shoqëria katalonase është thellësisht e përçarë mbi këtë çështje të pavarësisë por ndërhyrja e qeverisë spanjolle në administratën katalonase mund të kthehet kundër saj. (b.an)