Saimir Tahiri iu ka drejtuar disa pyetje prokurorëve që kërkojnë heqjen e mandatit dhe arrestimin e tij. Tahiri ka ngulmuar veçanërisht tek akuza se ai ka udhëtuar 4 herë me një prej vëllezërve Habilaj jashtë Shqipërisë.
Deputeti socialist ka pyetur prokurorët për datat dhe cilët janë personat e tjerë që përmend Prokuroria në dosjen kundër tij. Tahiri ka kërkuar nga prokurorët a e vërtetojnë dot që ai ka udhëtuar me Habilajt jashtë shtetit, pasi sistemi TIMS tregon të kundërtën. Por, prokurorët e gjendur në vështirësi, nuk janë përgjigjur. Ata kanë thënë se nuk janë të detyruar të përgjigjen.
“Dua të di dy gjëra, a kam dalë unë, se ju thoni rezulton, d.m.th e keni verifikuar, përveç Artan Habilajt, kush janë të tjerët.
E dyta, a jeni të bindur, se keni përmendur TIMS, e thoni para komisionit, që unë kam dalë me ndonjë nga këta po, apo jo, unë Tahiri kam dalë me ndonjë nga këta persona?”, tha Tahiri.
“Nuk përgjigjemi”, tha prokurori Besim Hajdarmataj.
Disa nga pyetje-përgjigjet
Saimir Tahiri: “Kam disa pyetjet për prokurorët për t’u qartësuar. E para, ju thatë që nuk është referuar materiali për Habilajn kur unë isha ministër. Jam i saktë?
Prokuroria: Jo nuk është referuar!
Saimir Tahiri: A jeni në dijeni që unë në mes të shtatorit jam paraqitur pas disa deklaratave tek Prokurori i Përjgithshëm dhe më pas ju keni regjistruar procedimin penal për këtë çështje dhe është mbyllur?
Prokuroria: Ju jeni përfshirë në një skandal politik dhe keni ardhur për të sqaruar pozitën tuaj.
Saimir Tahiri: Më thoni, keni dijeni apo jo?
Saimir Tahiri: Nëse unë kam ardhur në prokurori për të kërkuar hetim për disa deklarata publike, për cilën arsye nuk ju mjaftoi kjo që në atë kohë të nisni hetim të thelluar?
Alibeaj: Ajo cfarë po bën zotëria janë komente dhe deklarata. Do ta ketë kohën ta bëjë këtë gjë.
Prokuroria: Prokuroria ka hetuar atëherë dhe ka konkluduar në atë formë, ka hetuar tani dhe ka konkluduar në këtë formë.
Deputeti Eduard Halimi: Nuk mund t’i bëjë pyetje ai prokurorisë se nuk ka sens.
Saimir Tahiri: Të nderuar prokurorë, thoni që unë kam udhëtuar me makinën me targa AA003GB dhe kam qenë i shoqëruar nga persona të dyshuar Artan Habilaj, etj. Presje etj kush janë këta përveç Artan Habilajt? Kam dalë unë me këta persona jashtë Shqipërisë sic deklaroni që kam dalë në katër data? Po ose jo? Kjo është themelore! Jeni të bindur dhe kjo konfirmohet nga TIMS apo hamendësoni?
Prokuroria: Ne jemi ata që kemi paraqitur një kërkesë, kemi parashtruar rrethana dhe fakte. Ne i kemi sqaruar këto edhe më përpara. Nuk kam asnjë lloj arsye të përgjigjem për këtë.
ma.me