Fadil Kasemi, 53 vjeçari i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildez Hafizi në 31 gusht të këtij viti, po luan çdo gur për të shmangur dënimin.
Ndërsa po hetohet për krimin makabër në masën “arrest në burg” Prokuroria për Krimet e Rënda ka vendosur kryerjen e një akt-ekspertimi mendor ndaj tij.
Vendimi i organit të Akuzës është marrë në 29 shtator të këtij viti, në pranim të një kërkesë të paraqitur nga avokatët mbrojtës të 53 vjeccarit përmes një memoje.
“ABC News” ka siguruar një shkresë të firmosur nga kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj, ku bëhet me dije vendimi për verifikimin e gjendjes mendore të të dyshuarit. Në dokument sqarohet se akt-ekspertimi psikiko ligjor të cilit do t’i nënshtrohet Kasemi do të kryhet pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, Tiranë.
Sipas procedurës, përfundimet e këtij akti do të administrohen me tej në dosjen hetimore dhe atë gjyqësore. Në rast se del i papërgjegjshëm mendërisht, Kasemi mund t’i shpëtojë dënimit për krimin.
Në përballjet e deritanishme me gjykatën Kasemi nuk ka shfaqur pendesë për krimin. Në seancën e 20 shtatorit në Apel për masën e sigurisë, ai i kërkoi palëve të mos merreshin me familjen dhe gruan e tij, pasi ai e donte atë akoma.
Prokuroria për Krimet e Rënda akuzon Kasemin për veprën penale të “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, për të cilën parashikohet dënim nga 20 vjet deri në burgim të përjetshëm. Për shkak të ndryshimeve të pësuara në Kodin e Procedurës, ai nuk mund të përfitojë gjykim të shkurtuar./Abcnews