Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ishte pasdite në Kryesinë e Kuvendit ku paraqiti pretendimet e tij lidhur me deklaratat në parlament që i kushtuan përjashtimin. Noka deklaroi para Byrosë se nuk ka shkelur rregulloren, dhe nuk mund të bëhet përjashtimi i tij me 10 ditë siç kërkoi PS.
Qëndrimin në Byro Noka e zbardhi për mediat pasi doli nga Kryesia.
“Turpi i këtij parlamenti sot është të përjashtosh një deputet pse kërkon fjalën për procedurë dhe institucion për një të drejtë të tij, sipas rregullores. Neni 49 pika një e Rregullores së Kuvendit, thotë se kur një deputet kërkon fjalën për procedurë, ajo jepet menjëherë. Ju e patë që deputeti Noka kërkoi fjalën për procedurë, as më pak as më shumë, e vetmja gjë që bëra tepër është që insistova. Dëgjova një kryeministër në sallë që fliste me një zhargon rruge. Kërkova fjalën për procedurë që t’i kërkoja kreut të Kuvendit që t’i tërhiqte vëmendjen kryeministrit të mos fliste me zhargon rruge, ndërsa ai në vend që ta bënte këtë, përjashtoi deputetin. Këtë që po e them tani ia paraqita me zë e figurë para Byrosë Parlamentare”, u shpreh Noka.
Ndërkohë ai nuk ka preferuar të japë detaje lidhur me qëndrimin e grupit të PD, teksa tha se “qëndrimi i opozitës në seancën e nesërme plenare i takon grupit parlamentar të PD”.
“Unë nuk kam fyer asnjë njeri, por kam dalë nga ajo sallë i fyer shumë, pasi të drejtën që më ka dhënë rregullorja ma ka mohuar vazhdimisht kryetari i Kuvendit. Nëse e quani fyerje insistimin, e pranoj që paskam bërë fyerje. Fjala rrugaç i drejtohet atij që përdori fjalor rruge në Kuvend, pasi kur jemi në sallë duhet të flasim në mënyrë të kulturuar, dhe jo me fjalor rruge, gjë që e bëri kryeministri. Pëshpëritjen nga pas foltores së Kuvendit e ka ves të vjetër. Dhe kryetari i Parlamentit, pa mbledhur Byronë Parlamentare vendosi të mos pranojë kërkesën e opozitës për përjashtimin e kryeministrit. Qëndrimi për seancën e nesërme i takon grupit parlamentar të PD. Nuk e pranojmë këtë drejtim banditesk të Kuvendit”, tha deputeti demokrat Flamur Noka./a.m.