Nga Armando Meta/
“Lufta” për ca klikime më shumë apo për rritjen e audiencës nuk po njeh më asnjë kufi etik. Shembullin më të qartë për degradimin e medias në përgjithësi, sidomos të banalitetit që të ofrojnë spektaklet në ekranet televizive, na e “dhuruan” edhe 2 personazhe të televizioneve Fiori Dardha dhe Robert Aliaj. Natyrisht që tematika e debatit është shumë sensitive. Ajo e dhunës ndaj femrave, shpërfaqur kjo në mënyrë fizike, por edhe psikologjike. Edhe vetë Fiori pati rastin që ta provojë publikisht këtë dhunë psikologjike nga një personazh, i cili është i papërtueshëm në injorancën dhe banalitetin që shpërfaq. Kjo duket e bën atë “interesant”, ndaj dhe produksionet televizive rendin drejt tij. Kjo sepse nga njëra anë ato janë në nivelin e tij; nga ana tjetër kanë nevojë dhe për shtampën se ky vulgaritet shton shikueshmërinë dhe klikimet. Në fakt ja arritën këtij “objektivi”, duke lejuar këtë personazh që të fyej publikisht një femër. Nuk është se ndjejmë ndonjë keqardhje për Fiorin. Jo se jemi pro vulgaritetit të një anëtari jurie që shëtit spektakël më spektakël me banalitetin e tij që nga konkurset për fëmijë e deri tek spektaklet me personazhe të njohura të jetës artistike, të gazetarisë apo të fushave të tjera.
Por padyshim e dimë që Fiori e njeh shumë mirë zotërinë që s’ka bërë asgjë në jetë, veç vit pas viti vulgarizon dhe më tej banalitetin e tij për t’u dukur ‘interesant’. Ajo ka pranuar të marrë pjesë në atë spektakël, ndaj duhet ta durojë tashmë. Eshtë për të ardhur keq që ajo, vetëm që të jetë pjesë e ekraneve, merr pjesë në një ‘garë’, e cila e ka të shkruar që në krye të herës se ‘gjella e ftohtë’ që u servir teleshikuesve shoqëruar me fjalor banal, mungesë etike, etj.etj., është një kurdisje vetëm për shikueshmëri dhe që të jenë lajme të para nëpër portale.
Kjo nuk është vetëm një përballje mes Fiorit dhe Robert Alisë. Kjo është një përballje mes kulturës gjithnjë e më vulgare që rrezatojnë spektaklet, ku banaliteti, fjalët e ndyra janë ulur këmbëkryq. Habitesh si ka mundësi që figura të njohura, që kanë bërë art e kulturë ndër vite, kanë rënë në pozita kaq të mjera, duke sjell dëme të jashtëzakonshme në formimin dhe kulturën qytetare. Edhe në vendin më pak serioz zotëria që bën insinuata banale do të ishte flakur pa një pa dy nga spektakli. Ndërsa e lënduara të paktën mund të bënte një gjest civil që të linte mënjëanë egon për të dalë nëpër ekrane dhe të thoshtë: “Këtu mbaron dhe pikë”. Natyrisht një situatë e tillë është edhe një kthim restoje, kur sjell në mendje se si në jo pak raste se kanë për gjë të tallen me njerëz të tjerë, të cilët për një mori arësyesh e ndërtojnë me ‘thonj jetën e tyre’. “Lufta” për klikime dhe shikueshmëri nuk duhet të na bëjë që të humbasim dinjitetin sipas parimit ‘gëlltite dhe qep gojën’. Asnjë se merr seriozisht ‘sherrin’ mes tyre.