Në një intervistë për emisionin “Kolaudim” në IN Tv, Rudina Hajdari është rrëfyer për babain e saj Azem Hajdari.
Deputetja e PD, ka rrëfyer marrëdhëniet që kishte Azemi me familjarët e tjerë.
“Unë jam rritur në këtë shtëpi. Mbaj mend qe me babain loznim shpesh por dhe dilnim shëtitje nga Liqeni Artificial”, tha Rudina Hajdari.
“Ai gjithnjë e gjente kohën për ne. Na kushtonte shumë kohë”, theksoi ajo. Edhe pse ishin kohë te vështira për vendin, e po ashtu dhe për vetë Azem Hajdarin, Rudina na rrëfen se në shtëpi gjithmonë kishte hare, dhe problemet ishin jashtë portës së tyre.
“Në asnjë moment problemet e politikes nuk ishin pjesë e diskutimeve në familje, edhe pse vendi po kalonte momente shumë të vështira babai nuk na fliste asnjë moment për to”, pohoi deputetja e re e PD-së.
Në 12 shtator Rudina Hajdari foli për herë të parë në Kuvend, si deputetja më e re e PD-së, datë e cila përkoi edhe me 19-vjetorin e vrasjes së babait të saj. Por si e ka përjetuar Rudina, momentin kur fjalimi i saj i parë në Kuvend u duartrokit nga të djathtë e të majtë?
“Fjalimi ishte në një ditë të veçantë për familjen time. Ishte në 19 vjetorin e babait dhe kjo e shtoi edhe më shumë peshën e emocioneve. Ashtu si babai im, i cili vendoste interesat e vendit në plan të parë, edhe unë mendoja që të përcillja një mesazh bashkimi”, pohoi Rudina./a.m.