Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka ironizuar hapur kryeministrin Edi Rama, duke i sugjeruar që të tentojë të heqë nga puna edhe dy gazetarët italianë, që i kanë cilësuar pikturat e tij, si eksperimente në një fletore të një djali kolegji të droguar.
Përmes një shkrimi në rrjetin social, Petrit Vasili vijon më tutje me sarkazëm, duke thënë se me të vërtetë dy gazetarët e huaj e meritojnë të largohen nga puna, sepse kanë nxjerrë në pah një sekret shtetëror, faktin se kryeministri nuk “ja thotë” as pikturës.
Statusi i Vasilit:
Shkollëpaku edhe penelin e ngjyen te droga.
Dy kritikë të huaj arti thonë për pikturat e shkollëpakut kryeministër se duken si përçartje të një adoleshenti të droguar. Thonë edhe që kanë interes të shihen këto përçartje vetëm se i ka bërë një kryeministër dhe hiçgjëkundi nuk është se shihet ndonjë talent.
Me siguri që janë armiq politikë këta kritikët e huaj të artit që bëjnë këto komente.
I sugjeroj shkollëpakut ti heqë nga puna siç po bën me mijëra punonjës të shtetit.
Dhe këta kritikët e huaj e meritojnë vërtet të pushohen nga puna, sepse kanë nxjerrë një sekret shtetëror, që ky kryeministri ynë s’ja thotë hiç edhe nga piktura se sa për shtetin dihet që është copë copë, pasi inspirimi i drogës doli edhe tek pikturat që bën vetë.
Ja çfarë kanë shkruar gazetarja Alexxa Gotthardt dhe kolegu i saj Scott Indrisek:
Në segmentin Giardini, të “Viva Arte Viva”, një dhomë e madhe është e mbuluar me një letër muri, me një seri vizatimesh gjeometrike, shumëngjyrëshe, pak si eksperimentet në fletoren e një djali kolegji të talentuar nën efektin e drogës. Për të qenë të sinqertë deri në fund, punimet nuk do të kishin ndonjë rëndësi, sikur të mos ishin bërë nga kryeministri i Shqipërisë, një njeri që u bë i famshëm sepse ngjyrosi pallatet në Tiranë, kur ishte kryetar Bashkie. Një letër muri e ngjashme është përdorur për të dekoruar zyrën e tij në godinën e qeverisë.Vizatimet janë bërë në dokumentat dhe letrat e zyrës së tij, të përzgjedhura gjatë ditës së punës. /b.d