Nga Andrew McCathie
Martin Schulzparapëlqen ta shohë veten si një luftëtar.
“Unë jam një futbollist”, kështu i pëlqen të thotë liderit të qendrës së majtë të socialdemokrates (SPD), i cili shpreson që sot të bëhet kancelar.
Por, Schulzit, 61 vjeç, do t’i duhet të përballet me një betejë të ashpër për të rrëzuar kancelaren e partisë konservatore, Angela Merkel, e cila ka kryesuar në sondazhet e fundit të opinionit përpara zgjedhjeve të sotme.
“Ti nuk heq dorë kurrë nga gjërat në të cilat beson”, i ka thënë dikur Schulzit presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk.
Një ish-futbollist, kryebashkiak , ish-i alkoolizuar dhe pronar i një librarie, Schulzi mbetet një fytyrë e re në skenën e politikës gjermane.
I martuar me dy fëmijë, ai punoi 22 vjet në Parlamentin Evropian duke përfshirë edhe pesë vjet si president i Asamblesë në Strasburg dhe zotërues i shumë gjuhëve evropiane.
Çuditërisht, në një vend me numrin më të madh të studentëve në Evropë, Schulzi nuk e ka përfunduar ende shkollën e mesme.
Pas një viti si i papunë, ai u bë pronar i një librarie në qytetin e tij të lindjes, në Wuerselen, në Vestfalinë e Veriut, shteti më i madh i vendit dhe bastioni tradicional i SPD-së.
Në të vërtetë, politika ka qënë gjithmonë pjesë e jetës së Schulzit, i quajtur shpesh si “Mister Europe”.
Babai i Schulzit ka qënë një oficer policie dhe një mbështetës i fortë i SPD-së.
Ndërsa, nëna e tij ka qënë një pjesëmarrëse aktive në Partinë Kristiandemokrate të kancelares, Merkel.
Në moshën 19-vjeçare, ai ishte një anëtar aktiv i SPD-së përpara se të hynte në politikën rajonale, duke u rritur në radhët e qeverisë lokale për t’u bërë kryebashkiaku më i ri i Wuerselen në moshën 31-vjeçare.
Si një folës i fuqishëm në publik, ai ka synuar gjithmonë të injektojë sa më shumë emocion në jetën politike.
“Kushdo qoftë në politikë që nuk është në gjendje të ngjallë emocion, është në vendin e gabuar”, ka thënë dikur Schulzi.
Në janar 2017, Schulz u ngrit në detyrë duke u emëruar si lideri i SPD-së dhe kandidati rival i kancelares, Merkel.
Si një fytyrë e re në skenën e aktorëve të vjetër, fillimisht, kandidatura e tij nxiti një rritje të mbështetjes për SPD-në sipas sondazheve të opinionit.
Këto të dhëna rritën shpresat e SPD-së, se Schulzi mund t’i japë fund pushtetit 12-vjeçar të Merkelit. Në mars ai u votua si lideri i partisë, i mbështetur 100 për qind.
Por, deri në atë kohë, “treni i Schulzit”, siç e quanin mediat kandidaturën për kancelar të liderit të SPD-së , tashmë , u duk sikur po humbiste entuziazmin, pasi mbështetja popullore për partinë po binte ndjeshëm.
Me rreth 24 për qind, mbështetja për SPD-në tashmë është me e ulët se 25, 5 për qind që ishte në zgjedhjet e fundit, në 2013.
Por, Schulzi është mësuar të përballet me beteja të ashpra.
Në moshën 24-vjeçare, ai u përball me luftën kundër alkoolit pas një dëmtimi të rëndë në gju duke i dhënë fund karrierës së tij si futbollist.
“Unë pija çdo gjë që mund të gjeja”, tha Schulz gjatë një interviste.
Lideri i SPD-së ka 37 vjet që nuk pi më alkool.
Si një evropian i devotshëm, ai e ka mbështetur rregullisht Bashkimin Evropian përgjatë viteve, kundër fenomeneve që kanë përndjekur rajonin , gjatë shekullit të 20-të, si racizmi, ksenofobia dhe antisemitizmi.
Kohët e fundit, ai i është bashkuar luftës kundër populizmit në Evropë.
Tre vjet më parë, fjalimi i tij në Knesset, në të cilin Schulzi kritikonte Izraelin se u kishte mohuar palestinezëve ndarjen në mënyrë të drejtë të burimeve ujore, shkaktoi një protestë nga një grup deputetësh të krahut të djathtë dhe një reagim të ashpër nga ana e kryeministrit, Benjamin Netanyahu.
Megjithatë, një nga momentet e tij më të bujshme ka qënë në vitin 2003, kur ai u përfshi në një debat që u shndërrua në një konflikt me ish-kryeministrin Italian, Silvio Berlusconi në Parlamentin Evropian, pas kritikave të Schulzit për qeverine italiane.
Kjo bëri që Berlusconi ta krahasonte Schulzin me një roje kampi përqëndrimi.
Ndonëse më vonë, lideri italian deklaroi se ishte thjesht një mesazh ironik.