Pas humbjes me Skënderbeun, Partizani është në prag të krizës. Pas fitores 2-0 të korçarëve, zemërimi ishte i dukshëm në kampin e kuq, kryesisht te tifozët që kërkonin menjëherë largimin e trajnerit Mark Iuliano.
Por, edhe trajneri italian nuk u ndie aspak mirë pas ndeshjes dhe thërriti në mënyrë urgjente lojtarët në dhomat e zhveshjes për t’u kërkuar llogari.
Burime pranë kësaj mbledhjeje në dhomat e zhveshjes bëjnë me dije se trajneri Iuliano u ka kërkuar llogari të tijve për atë që shfaqën në fushën e lojës, duke mos zbatuar detyra dhe të qenit larg asaj që ata praktikojnë në stërvitje çdo ditë.
Mbledhja është shoqëruar edhe me tone të larta, pasi ka pasur momente që trajneri italian e ka ngritur zërin, kryesisht me lojtarë të veçantë, tek të cilët ka ndaluar duke u kërkuar llogari deri në një.
Për shumë minuta ka zgjatur kjo mbledhje urgjente e trajnerit me lojtarët, por që vlen të theksohet se asnjë nga drejtuesit më të lartë të klubit nuk mori mundimin që të futej në dhomat e zhveshjes, përveç Luçiano Moxhit, i cili, si zakonisht, pas ndeshjeve takon ekipin në dhomën e zhveshjes.
Trajneri ka kërkuar të mësojë nga lojtarët nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon në bashkëpunimin e tyre dhe a janë të gatshëm për të vijuar sërish së bashku edhe pas kësaj humbjeje.
“Doni të vazhdojmë së bashku apo të iki?”, ishte pyetja që trajneri u drejtoi lojtarëve. Madje, edhe Moxhi ka kërkuar nga ekipi të sqarohej nëse kishte ndonjë pakënaqësi ndaj stafit për mungesën e lojës. Por drejtuesit italianë kanë marrë përgjigje pozitive nga lojtarët duke mohuar se mes tyre ka pakënaqësi.
Më pas është diskutuar rreth faktit që forma fizike nuk është e duhura. Gjyqi pas ndeshjes në kampin e kuq zgjati rreth 30 minuta, por gjasat janë që analiza do të jetë edhe më e thellë, ku nuk përjashtohet mundësi për penalizime ndaj lojtarëve./Panorama Sport