Pas ngjarjes së rëndë në Shkodër, ku xhaxhai vrau nipin, një tjetër krim në familje ka tronditur sot Shqipërinë.
Një vrasje makabre ka ndodhur në Pogradec, ku burri ka vrarë me sqepar dhe thikë bashkëshorten e tij.
Mësohet se viktima është 49-vjeçarja Demirke Mekolli.
Policia ka shoqëruar autorin e krimit, Bashkim Mekollin, dhe po heton për shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Mësohet se në momentin e krimit nuk ka pasur njeri në shtëpi, ndërsa çifti ishin prindër të një djali 16 vjeçar i cili ndodhet në Itali.
49-vjeçarja nga Pogradeci është viktima e dytë, pa kaluar një muaj nga vrasja e gjyqtares Fildes Hafizi nga ish-bashkëshorti i saj, Fadil Kasemi i cili e qëlloi me plumb në kokë në mes të ditës në kryeqytet.
Për ngjarjen në Pogradec, policia bën të ditur se çifti ka pasur probleme më parë çka ka sjellë edhe fundin tragjik të Demirke Mekollit.
Menjëherë pas ngjarjes policia ka shkuar në vendngjarje duke bërë të mundur edhe arrestimin në flagrancë të Bashkim Mekolli brenda në banesë.
I ati i autorit të krimit: Djali me depresion, spitali s’e pranoi
I ati i Bashkim Mekollit i cili vrau me sqepar dhe thikë bashkëshorten e tij, Demirke Mekolli, 49-vjeç rrëfen se djali i tij vuante prej vitesh nga depresioni dhe për këtë shkak i ishte drejtuar spitalit për t’u kuruar por spitali nuk e ka mbajtur.
“Para dy muajsh u vizitua në Tiranë. Duhej të shtrohej në spital, por nuk kishte kartë shëndeti dhe sigurime shoqërore. Mori barnat dhe i përdori. Kishte një vit që jetonte në shtëpinë time. I grindur dhe me depresion ka qenë gjithmonë“, thotë babai i autorit të krimit.
Ai thotë se djali ishte agresiv dhe se çifti grindej çdo ditë.
Njoftimi i policisë
Pogradec/Më datë 24.09.2017, jemi njoftuar se në fshatin Blacë, B.M, rreth 49 vjeç, për motive të dobëta, dyshohet të ketë vrarë me mjete të forta (sqepar dhe thikë) në banesë, bashkëshorten e tij shtetasen D.M, rreth 49 vjeçe.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.
Autori i dyshuar i ngjarjes po shoqërohet në Komisariatin e Policisë.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes./Javanews
a.ç