Durrësi është tronditur dje, kur tre fëmijë trinjakë të moshës 3 vjeç janë djegur të gjallë pas një zjarri të rënë në banesën e tyre.
Nuni i trinjakëve që humbën jetën dje në flakë ka vendosur të rrëfejë ngjarjen reale dhe detajet e ngjarjes tragjike në fshatin Romanat të Durrësit.
Ngjarja ka tronditur një Shqipëri të tërë dhe ndërkohë që ishte e zbardhur në copëza, Media ka sjellë versionin e ngjarjes rrëfyer nga një person shumë i afërt i familjes.
Familja është shumë e prekur nga ngjarja dhe akoma më shumë nga versionet e ndryshme të pavërteta të publikuara në media, të formëzuara në detaje të rreme.
Nuni i trinjakëve ka shkruar se nëna e tyre Migena gjendej tek vjehrri i saj, i cili ndodhej 30 metra larg shtëpisë dhe jo tek mamaja e saj siç u deklarua në shumë versione jozyrtare.
Ngjarja ka ndodhur në punë minutash dhe ajo e nuni i të vegjëlve nuk kanë mundur t’i shpëtojnë trinjakët nga flakët e zjarrit. Ata kanë qenë të parët që kanë vrapuar për në shtëpi pasi panë tymin të vërshonte.
Të vegjlit, sipas rrëfimit të nunit të tyre kanë kyçur derën e dhomës nga brenda dhe më pas kanë ndezur shkrepëset prej nga të cilave kanë marrë flakë perdet e dhomës.
Ja rrëfimi i ngjarjes nën fjalën e nunit të fëmijëve, i cili ka dëshmuar me dhimbje të madhe se:
“Përshëndetje. Ju lutem mos abuzoni me ngjarjen e trinjakëve sepse mamaja e tyre ka qenë te vjehrri, domethënë 30 metra larg, por Zoti e pati shkruar të ndodhte kështu. Ishte tymi që nuk na la të bënim gjë për t’i shpëtuar.
E dyta si rrodhi ngjarja edhe Zoti nuk i shpëtonte sepse çdo gjë u nxi në tym për 30 sekonda. Unë jam nuni i atyre fëmijëve. Shkaku ka qenë se kanë marrë një shkrepëse dhe kanë djeg perden.
Babai i fëmijëve ka qenë në punë. Ajo nënë dhe ai baba i ka rritur me gjak kur i thonë. Vetë ata kane mbyllur derën e dhomës nga brenda, jo të shtëpisë. Dritarja ka qenë me kangjella.
Tentova të shqyej hekurat, por e pamundur. Nga korridori nuk hyje dot nga asfiksia. Çdo gjë ka ndodhur për 3 minuta. Kam qenë i pari pas nënës së tyre”, – ka treguar nuni i fëmijëve.
Banorët dhe familjarët e kanë pasur të pamundur ndërhyrjen për t’i shpëtuar, pasi dera ishte e pushtuar nga flakët, ndërsa dritarja ishte me hekura.
Fqinjet e familjes Konçi që humbi tre fëmijët tregojnë momentin e ndërhyrjes, kur banesa ishte përfshirë nga flakët.
“E kishin thyer derën dhe kishin hyrë brenda kur mbërrita. Unë isha i dyti që u futa brenda, i pari nuk e di se cili ka qenë. Fëmijët i gjetëm pa shenja jete, ishin të asfiksuar” shprehet njëri prej tyre.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje, të cilët po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
a.ç