Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për periudhën janar-qershor ishin 298 milionë euro, me një rritje të lehtë prej 3% në krahasim me gjashtëmujorin e parë 2016.
Që prej vitit 2013, kur remitancat arritën nivelin më të ulët të dekadës së fundit, duke sinjalizuar fundin e një cikli, teksa emigrantët e larguar prej vitesh po i shkëpusnin lidhjet me vendin mëmë, ato filluan të rriten në mënyrë të papritur në 2014-n e më tej, ndonëse me ritme të ngadalësuara.
Kjo tendencë reflektoi rigjallërimin e ciklit të emigracionit, teksa duke filluar nga viti 2014, bilanci neto i emigracionit filloi të përkeqësohej sërish.
Vetëm në vitin 2015, numri i atyre që kërkuan azil në shtetet e BE-së arriti në 67 mijë persona. Më pas ai ka rënë ndjeshëm, por shqiptarët vijojnë të renditen të parët në kërkesat për azil sidomos në Gjermani e Francë. Ndonëse një pjesë e konsiderueshme e tyre kthehen, teksa Shqipëria nuk është në listën e vendeve me rrezik dhe përparësi kanë emigrantët që i ikin luftës, një pjesë e tyre arrijnë të qëndrojnë dhe të integrohen gradualisht, por gjithnjë me kokën pas.
Pas viteve ’90, prurjet e emigrantëve kanë qenë një burim i rëndësishëm për financimin e konsumit dhe zbutjen e varfërisë, sidomos në zonat e thella rurale.
Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, 1.120.000 shqiptarë, të lindur në Shqipëri, jetojnë në vende të tjera. Tre janë destinacionet kryesore: Italia me 450 mijë shqiptarë, Greqia me 440 mijë dhe Shtetet e Bashkuara me 80 mijë. Në Gjermani dhe Kanada ka nga 20 mijë emigrantë secili dhe në Mbretërinë e Bashkuar, 10 mijë.
Sipas Censusit të fundit të INSTAT-it, rezidentë në Shqipëri janë rreth 2.86 milionë banorë, çka nënkupton se ata që kanë ikur jashtë përbëjnë 40% të atyre që banojnë në vend./monitor/a.m.