Edhe në këtë vit të ri shkollor, gati 50% e shkollave 9 vjeçare do të mësojnë me dy turne, ndërsa gjimnaze kanë mbetur vetëm 2 të tilla.
Drejtorja e Drejtorisë së Arsimit të Tiranës, Arjola Byzyka, thotë se ndërtimi i institucioneve të reja do të ishte zgjidhja e vetme e situatës.
Arjola Byzyka: Kishim tre gjimnaze me turn të dytë, tani kemi vetëm dy. Nga 14 kemi vetëm 2.Gjimnazi “Sami Frashëri” dhe “Ismail Qemali” që janë gjimnaze të një kapaciteti shumë të madh, edhe për nga infrastruktura kanë kapacitete shumë të madh por edhe nga numri i nxënësve. Kjo është beteja jonë e së ardhmes që edhe këto dy gjimnaze ti kalojmë me një turn. Shkollat 9 vjeçare çdo vit vinë dhe reduktohet numri i turneve të dyta.Por akoma kemi një shifër që na trishton, 33-34 shkolla nga 67 sërish do të jenë me dy turne.
Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin e tri shkollave të reja, ‘Betim Muço’, ‘Ardian Klosi’ dhe ‘Hoxha Tahsim’ e rindërtuar.
Arjola Byzyka: Tre shkollat e reja që tashmë janë duke u populluar, kemi regjistrime dhe ky është një lajm shumë i mirë që shkollat e reja janë mirëpritur nga qytetarët. Sidomos shkolla “Betim Muço” në Kombinat, është një shkollë që tashmë po e mbush kapacitetin e vet.
Ndërkohë sipas DAR Tiranë, të gjitha institucionet e arsimit i kanë ambientet gati për të pritur nxënësit.
Arjola Byzyka: Gjithë korriku dhe gushti në Tiranë, mjedistet arsimore të Tiranës kanë qenë një kantier ndërtimi. Një punë e mrekullueshme që ka bërë bashkia e Tiranës duke i rihigjenizuar nga e para të gjitha mjediset e të gjitha shkollave të Tiranës. Ndërhyrje si në aspektin e higjenës po ashtu në lyerje, rregullime, pajisje me banka të reja, karrige të reja.
Bashkia e Tiranë ka ambicien për ndërtimin e 20 shkollave të reja në kryeqytet, në zonat e urbanizuara por edhe në periferitë e Tiranës, gjë që do të zgjidhte njëherë e mirë situatën e turneve dhe klasave të mbingarkuara./oranews