Një burrë ka pranuar sot se është autor i një krimi të rëndë, të ndodhur një vit e gjysmë më parë, ku goditi për vdekje një grua shqiptare në banesën e tij. 32-vjeçari Arben Rexha i mori jetën 25-vjeçares Elidona Demiraj, më 31 janar 2016, në veri të Londrës.
Ngjarja ndodhi në orët e vona të mbrëmjes, ku e reja u godit me thikë në fyt nga 32-vjeçari, ndërsa fqinjët dëgjuan “britma të forta”, duke njoftuar menjëherë policinë. Mjekët luftuan për ta shpëtuar, por ishte e pamundur pasi vajza ndërroi jetë në vendngjarje nga plagët e rënda.
E reja kishte shkuar vetëm nga Shqipëria në Britaninë e Madhe tre muaj para se të vritej. Në një reagim të ndjerë pas ngjarjes së rëndë, babi i viktimës, Halili, tha se familja e tij “ishte privuar nga dashuria, lumturia dhe buzëqeshja e saj e ëmbël, që për 25 vjet kurrë nuk mungoi në fytyrën e saj, i privuar … nga jeta në kulmin e rinisë së saj”.
Pasi vdiq, fqinjët mbajtën një vigjilje jashtë banesës së saj dhe anëtarët e komunitetit shqiptar të Londrës ngritën 3.000 paund, në mënyrë që trupi i saj të sillej në vendlindje, shkruan “mail online”.
Arben Rexha, një shtetas shqiptar, që besohet të ketë jetuar në Britani të Madhe për 16 vjet, është paraqitur në gjykatë, duke pranuar vrasjen.
Ai duhej të dënohej, por gjyqtari e shtyu seancën për gjashtë javë, në mënyrë që të kryhej më parë një raport psikologjik mbi autorin, i kërkuar nga ky i fundit.
Gjyqtari Cook QC tha se autori mund të dënohet vetëm në bazë të çështjeve për të cilat është rënë dakord ose që janë provuar.
Duke iu drejtuar Rexhos, gjyqtari tha: “Po të kisha pushtetin për të prishur të kaluarën, do ta ushtroja atë çdo ditë të jetës sime. Askush nuk sugjeron që ju të mos keni problemet tuaja, ne e kuptojmë të gjithë këtë. Ne duhet ta kuptojmë shkallën e tyre në përputhje me ligjin”.
Autori i vrasjes falënderoi gjykatësin, ndërsa do të mbahet në arrest deri në seancën e radhës, që do të zhvillohet më 15 dhjetor.