Zbardhen të tjera detaje në lidhje me vrasjen e bujshme të ndodhur ditën e sotme, të gjyqtares Fildes Hafizi, ndërsa vazhdon të thellohet edhe braktisja që i ishte bërë asaj nga shteti në lidhje me problemin me ish-bashkëshortin. 3 muaj përpara se Fildes Hafizi të kërcënohej me armë në plazhin e Golemit, ajo kishte bërë denoncim në Prokurorinë e Tiranës kundër ish-bashkëshortit të saj, Fadil Kasemit, por në mënyrë arbitrare organi shpërfilli këtë procedim.
Report tv mëson se në prill të 2015, Hafizi kishte denoncuar ish burrin për dhunë e kërcenim me armë, por me një vendim të çuditshëm më 13 prill të 2015 prokuroria refuzoi këtë procedim. Sipas Prokurorisë, Fadil Kasemi ka pasur një pistoletë të cilën e ka nxjerrë nga xhepi, por pa kryer veprime të më tejshme, dhe për këtë është vendosur mosfillimi i procedimit penal.
3 muaj më vonë në korrik të 2015 në plazhin e Golemit, Fadil Kasemi tentoi të vriste ish gruan e tij, por ndërhyrja e kohë e disa plazhistëve dhe stafit të një lokalit i shpëtoi jetën gjyqtares. E gjithë skena ka ndodhur përpara të fëmijëve të mitur të Fildes Hafizit dhe ish bashkëshortit të saj Fadil Kasemi.
Ndërsa më herët u bë publike edhe letra që Hafizi i kishte dërguar Donald Lu-së, ku i ka sqaruar atij edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhej. Ajo theksonte se ish-burri tentoi ta vriste, ndërsa prokuroria e akuzoi vetëm për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.
Hafizi i shkruante para një viti ambasadorit se ndihej e braktisur nga shteti përballë kërcënimeve me jetë të ish-burrit.
“Nuk kam më se kujt t’i drejtohem. Ju siguroj që shqetësimin tim e kam ndarë me krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë, sigurisht duke u kujdesur gjithmonë që të mos influencoj në dhënien e drejtësisë, por mesa duket veshët janë të shurdhër.
Për të ndarë këtë shqetësim timin do ju isha mirënjohëse nëse do më kushtonit disa minuta nga koha juaj” i shkruante ndër të tjera ajo Lu-së.
Fildes Hafizi u vra ditën e djeshme në zonën e Xhomllikut në Tiranë nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi, brenda makinës së saj ndërsa po parkonte poshtë pallatit ku edhe banonte bashkë me djalin dhe vajzën e saj.
Pikërisht në momentin që ka parkuar makinën, nga krahu i pasagjerit është afruar ish-bashkëshorti Fadil Kasemi dhe e ka qëlluar dy herë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme Fildeze Hafizit, e cila ishte ende në timon.
ma.me