Nga Flogert Muça*
Ngjarja e rëndë e shënuar sot në Tiranë ku shtetasi Fadil Kasemi ka qëlluar me armë për vdekje ish-bashkëshorten e tij, gjyqtaren 39-vjeçare Fildes Hafiz, ka tronditur opinionin publik. Arsyet e tronditjes janë të thjeshta dhe të përligjura. Ajo në fund të ditës ishte nënë e dy fëmijëve por dhe një funksionare shteti që punonte në sistemin e drejtësisë. Për fat të keq u vra paradoksalisht nga mosfunksionimi i sistemit ku ajo ishte e punësuar. U vra jo për faj të saj, por të sistemit të ngritur nga politika në këto 25-vite.
Dhimbja është e para për fëmijët dhe familjen, të cilës dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, e këtë nuk e bëj për vota, as për të fshehur ndonjë të pabërë, sepse asnjëra nuk është pjesë e punës simë. E bëj sepse e ndjej dhe sepse ky sistem drejtësie mund të më vrasë edhe mua nesër
Krejt e kundërta ndodhi sot me politikën. Duke filluar me Berishën e Bashën (nga i pari kemi peshqesh këtë sistem drejtësie ku nga vendimi i kolegut në gjyq, mbetet e vrarë një gjyqtare jashtë salle), e duke vazhduar me kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, ministri i së cilës amnistoi killerin e sotëm bashkë me Presidentin i cili vetëm dekorata nuk iu dha gjyqtarëve sot.
Të gjithë dolën dhe i lanë fajin shtetit, duke e trajtuar sipas interesit me emra të përveçëm, kur në fakt fajin e ka vendimi gjyqësor, sistemi ynë i cili nuk është i kalbur, por është vrastar. Të tmerron fakti teksa mëson faktin se kur është gjykuar herën e parë ish-bashkëshorti i Hafizit, është dënuar nga gjykata me vetëm 3 vjet heqje lirie për krimin e armëmbatjes pa leje (që parashikohet deri në 7 vjet heqje lirie nga ligji) dhe dhunës në familje (që parashikohet deri në 5 vjet heqje lirie nga ligji).
Pra, në kohën kur vrasësi i sotëm duhet të ishte dënuar me 12 vjet heqje lirie (burg), denohej me vetëm 3 vjet. E si për ti vënë kapakun kësaj maskarade të drejtësisë, i dënuari me 3 vjet, do të amnistohej vetëm një vit pas dënimit nga ministri i drejtësisë (Ylli Manjani) dhe Presidenti i Republikës (Bujar Nishani).
Sot, këta që kanë ngritur këtë sistem dhe që s’kanë lënë gjë pa bërë që të mos shembet, e vranë sërish të ndjerën Hafizi, duke i qarë të koka. Pasi e vranë nga sistemi që krijuan, e rivrasin duke e trajtuar si kapital politik për të sulmuar kundërshtarët. Pasi e vranë ditën, po e qajnë natën