Nën drejtimin e kryeminsitrit Edi Rama, ëhstë mbledhur Task-Forca antikanabis ku është diskutuar mbi rezultatet e arritura deri tani nga sinatancat ligjzbatuese. Sipas zv.ministres së Brendshme Rovena Voda, deklaroi se në këto 8 muaj u kapën 20 herë më shumë drogë se në 2016. 55 janë grupet kriminale të goditura me mbi 180 persona të proceduar.
Sipas zonjës Voda, grupeve kriminale iu hoqën nga duart miliona euro, pasi kanabisi u shkatërrua pa mundur të dalë në treg.
Deklarata e zv.ministres Voda ku renditen rezultatet:
Përshëndetje i nderuar zoti Kryeministër,
Të nderuar pjesëmarrës,
Në fund të një verë të gjatë, të nxehtë, të lodhshme për qindra e mijëra punonjës policie në terren, por edhe dhjetëra forca e institucioneve ligjzbatuese, partnerët përfshirë, e them jo pa krenari, se kemi rezultate të pakrahasueshme dhe sot Shqipëria nuk është më vend origjine për lëndët narkotike.
Kjo falë punës së çdo punonjësi Policie që ka sakrifikuar shumë, madje dhe jetën, në luftën kundër parcelave të drogës, falë angazhimit dhe vullnetit për ta hequr përfundimisht Shqipërinë nga harta e zezë e vendeve të origjinës për kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Por kjo edhe falë asistencës së partnerëve ndërkombëtarë, Guardia di Finanza, PAMECA dhe ICITAP dhe të gjitha agjencive partnere.
Nëse nuk do shkatërrohej që në mbjellje, por do të dilte në tregun evropian, i cili është destinacioni kryesor, vlera monetare e drogës së asgjësuar dhe sekuestruar do të shkonte miliona euro.
Miliona euro të hequra nga duart e botës së krimit.
Në zbatim të Planit Kombëtar Antikanabis, nuk jemi ndalur vetëm tek beteja kundër kanabisit, por po kaq rëndësi po i kushtojmë edhe trafikimit të drogës, si një fenomen që cënon drejtpërdrejt sigurinë në vend.
Ndaj, në bazë të detyrave të lëna në 2 mbledhjet e fundit theksojmë se vëmendja është përqëndruar edhe në ndjekjen e parave të pista me burim kriminal, në fushën e narkotikëve.
Kështu u hartua një plan i posaçëm operacional nga Policia e Shtetit dhe përgjatë muajit gusht, policia kishte në terren mbi 1500 grupe kontrolli me rreth 4500 punonjës, në gjithë territorin e vendit.
Nga referimet e hetimeve pasurore të kryera nga strukturat policore të Hetimit të Aseteve Kriminale janë gjetur dhe identifikuar rreth 50 milion euro, si automjete, vila, apartamente e lokale.
Edhe nga 20 raportimet e Guardia di Finanza për parcela të dyshuara, pas fluturimeve me avion, vetëm 5 prej tyre rezultuan me rreth 700 bimë kanabis, ndërsa të tjerat me kultura bujqësore.
Në fund të 8 mujorit, shifrat dëshmojnë efikasitetin e luftës që në gjenezë. Nga mbi 57 mijë bimë të asgjësuara, rreth 25% e tyre u shkatërruan që në kubikë, 15% rezultojnë të mbira vetë dhe 10% të tjera në proces tharje nga viti i kaluar.
Edhe lufta kundër trafikimit dëshmon shifra mbresëlënëse: në këto 8 muaj u kapën 20 herë më shumë drogë se në 2016.
55 janë grupet kriminale të goditura me mbi 180 persona të proceduar.
Drejtoria e Tatimeve ka referuar mbi 180 raste të dyshimta në Policinë e Shtetit dhe Prokurori që konsistojnë në pasuri të pajustifikuara dhe transaksione pa logjikë ekonomike e ligjore. Për 30 raste janë nxjerrë urdhra bllokimi të llogarive/transaksioneve në vlerë totale rreth 3.7 mln euro.
Janë kryer verifikime për mbi 1070 persona dhe informuar institucionet ligjzbatuese në përgjigje të 129 kërkesave të tyre, në funksion të investigimeve policore apo procedimeve penale. Në këtë kuadër po analizohen 175 raportime për aktivitet të dyshimtë.
Gjatë verifikimit në terren, inspektorët tatimorë marrin informacion për investime të konsiderueshme, rritje të kapitalit si dhe lidhjet e tyre me persona të implikuar në fushën e kultivimit apo trafikimit të kanabisit.
Drejtoria e Doganave ka identifikuar subjektet që aktualisht importojnë fara dhe po modelon profilet e riskut në fazën e parë për rritjen e nivelit te riskut, dhe më pas në fazën e dytë për të ripërshtatur të dhënat e marra nga instancat e tjera. Janë përmirësuar gjithashtu profilet e skanimit, sidomos për Degën Doganore Durrës ku janë marrë në konsideratë rekomandimet e palës italiane. Më datë 08 gusht 2017 është miratuar “Manuali për procedurat standarde të punës mbi përzgjedhjen dhe skanimin e bazuar në risk, të ngarkesave dhe/ose mjeteve të transportit”. Në bashkëpunim me Policinë Kufitare, drejtoria e Hetimit Doganor kanë konstatuar 12 raste me një sasi prej 971 527 KG kanabis.
Nga Prokuroria janë regjistruar 19 procedime për trafikim të narkotikëve, të referuara nga Policia e Shtetit me 21 të pandehur dhe 17 raste janë dërguar për gjykim.
Në funksion të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike në toka bujqësore, vijojnë takimet me fermerët në njësitë administrative për promovimin e mbjelljes së kulturave të ligjshme, veçanërisht bimëve medicinale, me synim rritjen e punësimit dhe shtimin e të ardhurave për familjet fermere.
Vazhdon me të njëjtin ritëm dhe përgjegjësi kontrolli në ambientet e mbrojtura kryesisht në serat dhe shtretërit për parandalimin e mbjelljes së farave për përgatitjen e fidanëve apo dhe kultivimit të bimëve narkotike.
Forcat e Armatosura po zhvillojnë projektin për përmirësimin e kapaciteteve të vëzhgimit ajror si dhe janë realizuar patrullime nga anijet e rojes bregdetare. Rezultat ishte kapja e një skafi me 1.3 ton drogë pak javë më parë në tentativë për t’u trafikuar drejt Italisë.
Në Ministrinë e Arsimit janë ngritur grupet e punës dhe po punohet për hartimin e materialeve sensibilizuese për rreziqet e përdorimit të kanabisit tek të rinjtë si dhe ka nisur puna për krijimin e blogut informues.
Ministria e Kulturës, për javën e trashëgimisë kulturore që mbahet në datat 25-29 shtator, ka planifikuar kalendarin e aktiviteteve në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Kultures (Shkodër, Durrës, Berat, Korçë, Vlorë e Gjirokastër), ku pjesë e programeve do të jetë edhe tematika e ndërgjegjësimit të audiencave të ndryshme për luftën kundër kanabisit në Shqipëri.
Pas kësaj panorame të shkurtër të përpjekjes sonë të përbashkët, në cilësinë e drejtueses së Task-Forcës Antikanabis, dua ta ritheksoj se lufta nuk ndalon këtu.
Bashkëpunimi ynë me partnerët është një tjetër shtysë inkurajuese për të vazhduar betejën në çdo cep të Shqipërisë dhe ndaj kujtdo që mendon të zgjedhë rrugën e shkurtër dhe kriminale të pasurimit, përmes drogës.
Në betejën antikanabis, si një problem shqetësues për shoqërinë që duhet zhdukur njëherë e mirë, nuk ka e nuk do të ketë kompromis me trafikantët apo shkelësit e ligjit, qofshin këta edhe brenda rradhëve të Policisë.
Ndëshkimet nuk kanë munguar kur janë konstatuar përgjegjësi, edhe për pak rrënjë kanabisi të mbjella. I njëjti qëndrim mbahet edhe ndaj atyre që nuk informojnë në kohë autoritetet, duke u bërë kështu palë me kriminelët.
Bashkë do të ndërtojmë një Shqipëri më të sigurt e më të mirë!
Ju faleminderit!
Bravo, lufta me ne krye zv ministren dha frutet e saj.