Me kritikat e ashpra që dje Rama i bëri Ministrisë së Jashtme dhe drejtuesve të saj, pritet që emrat e ministrave të jenë surprizë dhe mund të shkohet deri aty sa pjesa më e madhe e kabinetit të vjetër të mos përshihet në ekipin e mandatit të ardhshëm.
Por Rama lajmëroi dje edhe krijimin e një ministrie të re, asaj të Diasporës, të cilës i kushtoi një pjesë të mirë të fjalimit para ambasadorëve.
Pikërisht për këtë post të ri dje në ambientet politike qarkullonin disa kandidatura dhe mes tyre edhe ish-ministrja e Integrimit dhe ish-deputetja e PD, Majlinda Bregu, e cila përveçse një njohëse e mirë e proceseve integruese, ka edhe njohje me vlerë në nivele të larta të KE dhe PE çka e dëshmoi edhe me negociatat e fundit për krizën politike për bojkotin e zgjedhjeve nga PD.
Vlerësimi i Ramës për punën e Bregut vjen që gjatë mandatit të kaluar qeverisës, ku ish-ministrja e PD mbante postin e kryetares së Komisionit të Integrimit.
Por gjithësesi, emërimi i mundshëm i Bregut në krye të Ministrisë së Diasporës duke i sforcuar për aq kohë sa pozicioni i natyrshëm i saj do të ishte dikasteri i Integrimit. Kjo, pasi Bregu ka drejtuar jo vetëm ministrinë në fjalë, por edhe Këshillin Kombetar të Integrimit apo Komisionin Kuvendor.
Në rast se do të vërtetohej një ftesë e Ramës për Bregun në sektorin e Integrimit, kjo do të ishte një lëvizje mjaft e gjetur e tij dhe një sinjal i fortë drejt Brukselit duke i treguar këtij të fundit se integrimi në BE është i të gjitha palëve politike.