Sulmuesi i Realit të Madridit, Cristiano Ronaldo është shpallur edhe lojtari më i mirë i vitit nga UEFA, për sezonin e lënë pas 2016-2017. Portugezi 32-vjeçar, i cili ndihmoi ekipin madrilen drejt trofeut të dytë radhazi në Champions League dhe të 12-in në total në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, mori vlerësimin pas hedhjes së shortit për fazën e grupeve të hedhur në Monako këtë të enjte.
Ronaldo rrëmbeu këtë trofe për të dytin sezon radhazi, duke numëruar 3 në total bashkë me atë të fituar në sezonin 2013-2014. Ai la pas dy kandidatët e tjerë për këtë çmim, sulmuesin argjentinas të Barcelonës, Lionel Messi, dhe portierin e Juventusit e Italisë, Gianluigi Buffon, në një votim nga 80 trajnerë të fazës së grupeve të Championsit dhe Europa League të vitit të kaluar, së bashku me 55 gazetarë të përzgjedhur, përfaqësues të secilës federatë në UEFA.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe tejet i nderuar që e fitoj këtë trofe sërish”, tha Ronaldo pas marrjes së çmimit. “Dua të falënderoj veçanërisht shokët e mi të skuadrës e t’i përgëzoj edhe ata gjithashtu. Ndihem i bekuar. Falënderoj edhe tifozët e Realit të Madridit dhe këdo që më ka ndihmuar në arritjen e këtij suksesi”.
Ronaldo, që e mbylli sezonin e kaluar si golashënuesi më i mirë i Championsit me 12 gola, përfshi dy të shënuara në finalen e Kardifit ndaj Juventusit, mori 482 vota, me Messin që mbeti shumë prapa me 141, dhe Buffonin me 109 vota.
Lojtari më i mirë i vitit nga UEFA është një çmim që vlerëson performancën e lojtarëve gjatë sezonit paraardhës në të gjitha kompeticionet, vendase dhe ndërkombëtare, në nivel klubi apo kombëtareje.
Ja dhe çmimet e tjera individuale të dhëna sot.
Lojtari më i mirë i vitit për UEFA-n: Cristiano Ronaldo
Lojtarja më e mirë e vitit për UEFA-n: Lieke Martens
Portieri më i mirë i CHL gjatë sezonit 2016/17: Gianluigi Buffon
Mbrojtësi më i mirë i CHL gjatë sezonit 2016/17: Sergio Ramos
Mesfushori më i mirë i CHL gjatë sezonit 2016/17: Luka Modri?
Sulmuesi më i mirë i CHL gjatë sezonit 2016/17: Cristiano Ronaldo
Çmimi nga presidenti i UEFA-s iu dha Francesco Tottit, kapitenit legjendar të Romës i tërhequr në fund të sezonit të kaluar nga futbolli i luajtur.