Më 26 gusht 2017, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama do të mbajë në Durrës një takim informal të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, me temë thellimin e integrimit rajonal dhe me fokus në ekonomi dhe tregti.
Takimin e kanë konfirmuar Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç, Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, Kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç, Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, Kryeministri i Malit të Zi Dushko Markoviçm, si dhe Komisioneri Johannes Hahn dhe Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore.
Veprimtaria njëditore do të përbëhet nga sesione të ndryshme pune, gjatë së cilave do të diskutohen tema si tregtia, shërbimet, investimet dhe ekonomia digjitale.
Pritet që Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor të diskutojnë më tej dhe të garantojnë angazhim maksimal në nivel të lartë në drejtim të zbatimit të Planit Shumëvjeçar të Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale për të cilën u ra dakord në Samitin e Triestes.
Gjithashtu, rezultatet e deritanishme të Procesit të Berlinit dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit rajonal të Ballkanit Perëndimor do të jenë një nga temat e diskutimit.
Takimet e kryeministrave të Ballkanit në Durrës do të shërbejnë për të diskutuar jo vetëm për ekonominë dhe integrimin, por edhe cështje të ndjeshme mes vendeve.
Mes Serbisë dhe Maqedonisë është tensionuar situata pas tërheqjes për disa ditë të trupit diplomatik, por që sot u rikthye.
Temë e përhershme ajo mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Ndërsa, kjo do të jetë vizita e parë e kryeministres së Serbisë Ana Brnabiç në Shqipëri pas zgjedhjes.