25 doza kokaine janë sekuestruar ditën e sotme nga policia e Tiranës, ku është vënë në pranga edhe poseduesi i drogës 25-vjeçari Kataldo Mulaj.
Kanë qenë Specialistët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, që kanë finalizuar me sukses operacionin “Seller”.
25-vjeçari është kapur në Rrugën “Artan Lenja”, ku gjatë kontrollit fizik i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit Kokainë. Siç bëhet e ditur nga blutë e kryeqytetit, në momentin që është prangosur Mulaj, ka qenë duke udhëtuar me biçikletë.
Për të riun, policia disponononte informacione se kryente aktivitetin e jashtëligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike, duke marrë porosi me telefon dhe dorëzimin e bënte duke udhëtuar me biçikletë, me qëllimin e shmangies së kontrolleve.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij, i janë gjetur dhe sekuestruar dhe 23 doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike e llojit Kokainë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar:
– 25 doza me lëndë të dyshuar narkotike e llojit Kokainë, me peshë totale, 13 gramë
– 2 aparate telefonik
– Vlera monetare prej 128 900 Lekë të rinj dhe 200 Euro (të cilat dyshohet të jenë burim fitimi nga shitja e lëndës narkotike)
– 1 biçikletë
Lidhur me këtë operacion, policia e Tiranës sqaron se materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.