Me gjasë Lulzim Basha u kthye nga pushimet aq të nevojshme, si për mendjen, aq për trupin pas shkulmesh, të cilat pa mëshirë ranë mbi të, pa ia hequr një ashkël. Nuk dihet në ka marrë ngjyre se disa njerëz nuk i zë dielli, ndaj nuk kuptohet në skuqen apo zverdhen. Por si qostek në lajmin e kthimit varej një deklaratë e djeshme për krimet e komunizmit. Të këpuste shpirtin dhe si benzinë binte mbi ndërgjegje, duke e ndezur atë.
Kryetari i hepuar mërzish e makthesh historike ankohej se nuk ka një monument për krimet e diktaturës së Hoxhës, ndonëse PD ka qenë 13 vjet në pushtet dhe mund të bënte trembëdhjetë të tillë. Basha vetë katër vjet kryetar bashkie dhe mund të bënte katër të tillë, si dhe dy vjet ministër i Brendshëm, ku pa frikë ia gjente anën t’i realizonte nja dy. Heshtja do të ishte bekim, fjala tepri. Më shumë se ky hall, ndihej nevoja për të kapërcyer pupthi një kompleks pasi persekutoi ish-të persekutuarit politikë gjatë procesit të përjashtimit dhe rekrutimit në atë ditë të lume kur bëri listën për deputetë, pa logjikë fitoreje, por plot e përplot me logjika të tjera, disa të përçmueshme, por efikase në paskëtajshmëri.
Ish-të përndjekurit e dëgjojnë dhe e lexojnë, pastaj qeshin hidhur me fatin e tyre të trishtë, gjithsesi të denjë për tragjizmin e historisë sonë, edhe kur bëhet komike prej kryetarit sefte. Volens nolens, Lulzim Basha sot është kryetar i PD-së, i partisë më të madhe opozitare, e zvogëluar dukshëm në madhësi. Tashmë në këtë post, pas një procesi të përfolur si farsë. I akuzuar për uzurpim dhe i konsideruar prej disa të vetësh si i paligjshëm. Me pak fjalë, kjo parti e Opozitës ngjan si një ndërtim pa leje dhe vetë Basha si ndërtues qerrata, i cili pret tapinë e re.
Varet prej kujt e pret! Prej qytetarëve, prej Artan Lames, apo prej harresës. Ndonëse i vonë në PD, ai është pjesë e historisë së kësaj partie dhe nuk u shfaq papritmas më 22 korrik. Ai ka CV-në e vet, betejat dhe fitoret, natyrisht edhe katastrofat si kurrkush tjetër. PD ishte një parti e vrazhdë, por herë pas here me zgjedhje të lira vinte në pushtet, duke i mundur socialistët. Basha i ktheu asaj buzëqeshjen e bashkë me butësinë e një trishtimi spitullak. PD dikur, herë me të drejtë e herë me pa të padrejtë, akuzohej nga kundërshtarët se mbante monopolin e të fortëve, edhe pse pa pushtet.
Tani ata i mori Rama. Vendin e atij grupi e zuri këndej nga Tirana një fashë djelmurinash e cucash plot naze e shikime të ëmbla, të cilët herë pas here e vajtojnë humbjen dhe dhimbjen e shefit me refrenin “qyqja mi nane”. Basha ka nevojë të legalizohet. Ai ka vetëm një aleat: të vërtetën duke lypur falje. Në Shqipëri politikanët mendojnë se gënjeshtra është marifet, shpëtim, sukses dhe gjenialitet.
Së pari duhet t’u thotë të vërtetën 200 mijë demokratëve që e refuzuan atë si lider, listën dhe ofertën e tij. Së dyti, duhet t’ua thotë atë atyre që e votuan. E një moment pak më të vonë, t’ua rrëfejë këtë atyre 250 mijë votuesve më shumë që nuk i mori për të ardhur në pushtet. Një cen që ia kemi vënë në dukje edhe kur besonim se ai ishte një tjetër Lulzim Bashë, ka qenë mospërputhja e fjalëve me aktet.
Fjala e urtë nga “e thëna në të bërë rri në mes një mal i tërë”. Ai kurrë s’e kapërceu atë të uruar mal. Basha nuk ka vështirësi të kërkojë falje. Ai ka vështirësi të besojë se ka nevojë për të. Ai duhet të kërkojë falje që paraqiti projektin e banalizimit të mëtejshëm të PD-së, të zvogëlimit dhe të privatizimit të saj. Ai duhet të marrë kurajë dhe të shpjegojë arsyet publikisht pse i largoi dy të tretat e grupit drejtues të PD-së. Nëse ata janë të korruptuar dhe ky vetë nuk është dhe nuk ka frikë se ata mund ta akuzojnë, le ta thotë. Basha duhet të shpjegojë pse largoi ish-ministrat më të rëndësishëm të qeverisë Berisha, dishepujt dhe besnikët e tij dhe mbajti atë vetë.
Goditi Berishizmin dhe mbajti simbolikisht Berishën (ka nga ata që besojnë se Berishizmin e goditi vetë Berisha, personalisht nuk e besoj shumë). Duhet të shpjegojë pse largoi më të rëndësishmit dhe mbajti më qesharakët, me ndonjë përjashtim. Ata që kanë milituar dhe mbështetur përgjatë 27 viteve PD-në, duan të kuptojnë se me çfarë kriteri u larguan ata dhe u morën të tjerët. E drejtë e tyre është të kuptojnë ata që zëvendësuan Topallin, Patozin, Boden, Rulin, Imamin, Bregun etj.
janë më të zotë se këta, më të ndershëm, me CV më mbresëlënëse?!!! Po ashtu, gjithë ajo prurje koordinatorësh e sekretarësh që i besoi dhe e ndoqi pas qysh nga vjeshta e vitit 2013 kanë të drejtë pse nuk u buzëqeshi fati, ku gabuan, kujt nuk iu servilosën, çfarë u mungoi atyre?! Ai duhet të shpjegojë në analizën e tij mbi çfarë kriteresh i bëri ato lista me të cilat jo vetëm e tashmja, por edhe e ardhmja mund të furnizohet me hoka dhe hamendësime.
Një përgjigje i duhet pse timoni triumfoi mbi programin e tij? Ai e ka kuptuar se nuk ka ngjitur te njerëzit si kandidat për Kryeministër. Si do ta zgjidhë këtë ekuacion? Si do të bëhet i vërtetë dhe ngjitës? Si do ta bashkojë partinë dhe zhdukë shijen e tribalizmit që krijoi? Opozitës i takojnë disa poste simbolike nëpër komisione parlamentare, si dhe nënkryetari i Parlamentit dhe kryetari i Grupit, që është e drejtë natyrore.
Mbetet për t’u parë nëse Basha do të korrigjojë qitjen duke aktivizuar 5 a 6 persona mjaft seriozë të trashëguar apo do piacojë aty “republikën e re”! Berisha, së paku tani për tani nuk duket i interesuar se do konkurrojë për kryetar komisioni a sekretar grupi, ndaj mbetet për t’u parë vëmendja e Bashës ndaj Kosovës, Tabakut, Pollos, Bylykbashit, Mimës apo ndonjë tjetri, si edhe vendosmëria për t’i urdhëruar në heshtje të gjatë gjysmën e grupit që psonisi, për arsyen e vetme që tallja të marrë fund një ditë. Heshtja e tyre është kapak floririt. Fjala flori për mediat që kërkojnë humor të zi.
Gjithashtu, qytetarët e zhgënjyer dhe të gënjyer kanë nevojë të shohin një plan konkret se si elita mund të bashkëpunojë me këtë forcë. Por elita dhe pazari nuk rrinë bashkë. A do të ketë guximin ta presë Basha këtë nyje gordiane? Mbi të gjitha duan të prekin konkretësinë e modelit të qeverisjes alternative. Në fushatën e shkuar, Basha nuk e ofroi. Po fort të nevojshme e kanë të dinë se si mundet Edi Rama dhe jo të qeshin më tej me idiotësi të tipit se tani përsëri duam qeveri teknike apo një tjetër Kryeministër, pasi ai mori 74 mandate të rrumbullakëta vetëm me ofertën e timonit, tringëllimën e tepsisë dhe zukamën e kazanit!
PD nuk mund të vazhdojë me hipokrizinë që populli u ble dhe ajo vetë nuk pati asnjë gabim. Po, Basha e ka një mundësi, e cila kalon nga e vërteta, peshë kjo të cilën duket se nuk e mban dot, por nëse na befason duke e mbajtur, ai atëherë mund të legalizohet. Tani për tani PD ka punësuar 43 veta në Parlament. Si çdokush që gjen punë në kohë krize, ata ndihen mirë, por nëse nuk legalizohet kryetari dhe “ndërmarrja”, herën tjetër numri i të punësuarve bie në 20 e kështu me radhë. Radhët s’po duken të mira shejtanet.