Mes paqartësish të mëdha, Kuvendi i Kosovës u mblodh sërish në përpjekje për të përmbyllur seancën konstituive të nisur në 3 gusht e më pas të ndërprerë disa herë.
Në mungesë të një marrëveshjeje me ndonjë parti politike, subjekti fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, koalicioni PAN, ku bëjnë pjesë PDK, AAK dhe Nisma, e kishte paralajmëruar sërish se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk është çështje e kryer dhe ashtu ndodhi vërtet. Seanca zgjati më pak se një orë dhe u mbyll pa rezultat. Në fillim të saj, nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj kërkoi më tepër kohë në dispozicion.
“Si koalicion që ka të drejtë për të propozuar kryeparlamentarin, pra si një hap i parë dhe pastaj me nënkryetarët, ne kemi kërkuar kohë këto javët e fundit, por në fund të fundit jemi në politikë dhe në politikë funksionojnë gjërat ashtu siç kanë të drejtë. Ne kemi të drejtë ta propozojmë kryeparlamentarin. Ne kandidatin e kemi, por nuk e kemi shumicën parlamentare”, tha Hoxhaj.
Bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, koalicioni PAN e ka të drejtën e propozimit për kryetarin e Kuvendit. Pa zgjedhjen e kryeparlamentarit, nuk mund të bëhet asnjë hap tjetër drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re. PAN-it do t’i duhen të paktën 61 vota për zgjedhjen e kryetarit, e duke qenë se ato nuk ka arritur t’i sigurojë, shpresat tani varen tek një marrëveshje me AKR-në e Bexhet Pacollit, edhe pse nuk dihet ende me saktësi se çfarë qëndrimi do të mbajë ai.
Ajo që nuk i pëlqen as AKR-së e as partive të tjera është përzgjedhja e PAN-it për kreun e Kuvendit, Kadri Veseli. Albin Kurti i kërkoi hapur koalicionit fitues të zgjedhjeve të propozojë një kandidat tjetër. Përfaqësuesi i LAA-së, Avdullah Hoti deklaroi sërish se për gjetjen e zgjidhjes duhet marrë në konsideratë mundësia e dërgimit të çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
a.ç