Nga Jeta Toçila
Kush e di se sa statuse kam lexuar nëpër rrjete sociale, lidhur me çudirat gjatë pushimeve. Disa dukeshin të jetuara, disa të sajuara, disa të treguara bukur, disa me pathos, disa me mllef, disa me keqardhje, disa me optimizëm.
Vëzhgimet që më kanë tërhequr më shumë kanë qenë ato të shqiptarëve të diasporës ose edhe ato të shkruara për ta. Vëreja statuse për mallin e shtuar ndaj atdheut, sidomos të atyre që kishin shumë vite pa ardhur. Ata postonin foto të nisjes nga aeroporti i vendit ku jetonin, më pas nga fluturimi e pastaj foto të tokës mëmë me pamje të marra nga ajri. Lehtësisht i lexueshëm malli dhe emocioni i kthimit në mëmëdheun ku i kish rënur koka. Arrija të imagjinoja rrahjet e zemrës së tyre kur ecnin rrugëve ku prej vitesh nuk kishin shkelur. Gjithashtu edhe habinë që i pushtonte kur në vend të fushës ku kishin luajtur me top ose litar dikur, ishte ngritur një pallat-disa pallate. Fëmijët e tyre, të lindur në dhé të huaj për ne, por atdhe për ta, thjesht shëtisnin si turistë anglishtfolës, italishtfolës, apo greqishtfolës duke bërë hera-herës ndonjë selfie tek ai burri me kalë në qendër të kryeqytetit.
Diku në facebook kisha lexuar një kritikë ndaj këtyre fëmijëve që nuk flisnin gjuhën e nënës, madje duke kryqëzuar përmes moralit edhe prindërit e tyre “injorantë” që nuk ua kishin mësuar. A thua këta prindër që vinin për pushime në atdhe e urrenin vendin e tyre dhe prandaj nuk ua mësonin gjuhën fëmijëve?! Nuk besoj….Gjithçka i ka fillesat në arsyet e emigrimit dhe sfidat me të cilat janë përballur shqiptarët në botë. Sipas periudhave të emigrimit, shumica kanë lënë shtëpi e katandi, për një jetë më të mirë, për shkollim më cilësor, për trajtime më dinjitoze në spitale apo komuna. Të tjerë janë larguar për ti shpëtuar një rregjimi politik, ndërsa ata të larguarit më të fundit, janë ata të drejtët që nuk kanë bërë dot kompromise apo pazare nëntavolinash në kurriz të integritetit. Të ngulur në një vend ku polici i lagjes nuk ishte çuni i dajes, apo zysha e shkollës së fëmijëve nuk ishte nusja e çunit të tezes, u lipsej integrim sa më i shpejtë. Dhe shqiptarët që dallohen për inteligjencë, e cila shprehet përmes adaptimit me kushtet dhe rrethanat, përmes komunikimit edhe brenda mureve të shtëpisë në gjuhën e vendit ku jetonin, dalëngadalë arritën integrimin. Por disa prej tyre, kishin harruar një detaj, për të cilin më vonë do ndjenin faj dhe keqardhje. Nuk u kishin folur fëmijëve në gjuhën amtare. Unë mund të gjej mijëra justifikime për ta. Dhe me të drejtë i meritojnë. Nuk është e lehtë të mendosh edhe për aspektin kulturor e kombëtar, në kohën kur në hierarikine e piramidës së nevojavë të Maslow je ende në bodrum, pa u ngjitur në katin e parë.
Tani moralistët, nacionalistët apo patriotët e mëdhenj do shpallin me të madhe që ky është një turp dhe çdokush, pavarësisht gjithçkaje, duhet të rrahë gjoksin me shprehjen “Jam krenar që jam shqiptar”. Por një prind që me zor merret vesh me pronarin e fabrikës, nuk ndihet në humorin e duhur për deklarata të tilla. Ai vret mendjen si të mësojë sa më shpejt gjermanishten për shembull për veten dhe fëmijët. Nga ana tjetër, shkollat atje nuk u kanë ofruar mësime dygjuhëshe fëmijëve, të cilët me shokët e klasës do t’u duhet të flasin në gjuhën e vendit ku jetojnë. Ky prind nuk është si prindi italian, që mund të dërgojë fëmijën në Institutin Dante Alighieri apo si ai francez në Aleancën Franceze, për të mos u shkëputur nga kultura e vendit të origjinës, nëse nuk kanë arritur t’ua mësojnë në shtëpi gjuhën e nënës. Nuk ka ndonjë institut për gjuhën dhe kulturën shqiptare në çdo vend të botës, që të ofrojë mësime për fëmijët e diasporës. Ambasadat mund të kenë bërë ndonjë takim kortezie ose shpërndarje tek-tuk abetaresh. Fondet e kufizuara kaq u lejojnë. Ndonjë politikan shqiptar mund të ketë marrë pjesë në ndonjë konferencë e më pas edhe nëse ka patur idera të mençura në kokë, nuk ka patur mbështetje nga “të mëdhenjtë” që vendosin për gjithçka. Mirë do të ishte që këto kokat mendimtare dhe vendimmarrëse në vendin tonë, të ndiqnin politika proaktive ndaj diasporës dhe mos të luajnë “me gjasme” vetëm në raste zgjedhjesh.
Ndërsa ne të tjerët, që na mbetet facebooku apo portali, kur dëgjojmë në plazh apo në rrugë një nënë apo baba që i thërret ose përkëdhel fëmijën e tij në frëngjisht, anglisht, apo italisht, le të mendojmë se u vjen natyrshëm kjo gjuhë, dhe aspak për tangërllëk siç mund të komentohet. Nëse emigrantët do t’i ndihmojë atdheu i tyre të mos ndihen të huaj në vendin e të parëve, duke ua lehtësuar kontaktet me të, qoftë përmes turizmit, qoftë përmes ofrimit të mësimit të gjuhës, ose përfshirjes reale në politika mbarëkombëtare, atëherë gjuha jonë do të mbijetojë. Dhe kështu në një të ardhme nuk do të duhet të gërmojnë historianët për të vërtetuar se X senator apo këngëtar është me origjinë shqiptare, kur vetë senatori apo këngëtari mund ta provojë këtë përmes gjuhës së tij të certifikuar.