Detaje të reja zbulohen në lidhje me atentatin ndaj presidentit të ekipit të Kamzës, Naim Qarri, të cilit iu vendos eksploziv në makinë mbrëmjen e sotme rreth orës 20:00 në zonën e Bathores.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ se Qarri ishte në një lokal kur ka ndodhur shpërthimi, ndërsa makinën tip “Hummer” e kishte parkuar pranë lokalit.
Si pasojë e shpërthimit mjeti është dëmtuar në pjesën e përparme dhe nuk ka të lënduar në njerëz.
Në dëshminë e tij paraprake, presidenti i Kamzës ka thënë se nuk ka konflikte me njeri.
“Isha në lokal kur dëgjova shpërthimin, dola nga lokali dhe pashë makinën time. Mendova se është shkëndijë elektrike. Nuk kam konflikte me askënd. Nuk kam as borxhe dhe s’i frikësohem askujt”- ka thënë Qarri.
Ndërkohë burime nga policia bëjnë me dije për “BalkanWeb” se një nga pistat ku po hetohet është ajo për çështje borxhesh.
Naim Qarrri është një biznesmen i njohur në Shqipëri pasi ka në pronësi një agjenci të ruajtjes dhe sigurisë fizike.