Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bëri thirrje të gjitha bizneseve që operojnë në fushën e turizmit, të mos shmangin detyrimet dhe të paguajnë taksat në mënyrë korrekte, në të kundërt do të përballen me masa ndëshkuese.
Përmes një njoftimi zyrtar, administrata tatimore vëren se informaliteti në sektorin e turizmit është i lartë, ndaj paralajmëron se ndaj bizneseve që shkelin ligjin do të merren masa të ashpra, deri në bllokim të aktivitetit.
“Nga monitorimi i kryer, në vijim të planit të turizmit, administrata tatimore ka konstatuar parregullsi, më së shumti për moslëshim kuponi, për punonjës të pasiguruar apo printera jofiskalë, problematika të cilat shoqërohen me penalitete deri në bllokim të aktivitetit tregtar për 30 ditë”, thuhet në njoftim.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, një pjesë e hoteleve restoranteve apo bizneseve të tjera të lidhura me turizmin, fshehin taksat duke punuar në informalitet.
“Administrata tatimore inkurajon të gjithë tatimpaguesit të vijojnë të jenë të rregullt në përmbushjen e detyrimeve tatimore si dhe të gjithë qytetarët të jenë bashkëpunues në këtë luftë kundër informalitetin, duke paraqitur çdo rast abuziv në: de*******@ta****.al, numrin e gjelbër 0800 14 14, numrin 0697073733 si dhe në rrjetet sociale të DPT”, sqarohet më tej.
Muajin e kaluar administrata tatimore nisi luftën ndaj informalitetit në fushën e turizmit, i cili sipas tatimeve, gjatë periudhës së verës shkon deri në 50 përqind. /b.d