Prokuroria kërkoi dje 25 vite burg për mësuesin që kreu marrëdhënie seksuale me nxënësen e tij 11 vjeçe. Ngjarja për të cilën u arrestua 62-vjeçari Demir Hoxha, është kallëzuar në fillim të qershor 2015, kur e mitura ka deklaruar në polici, në shoqërinë e prindërve të saj, faktin se mësuesi ka kryer marrëdhënie me të, më 29 maj.
Madje, gjatë hetimit rezultoi se mësuesi e kishte përdhunuar atë edhe disa muaj më parë. Sipas Prokurorisë, mësuesi ka pranuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën dy herë, por ai ka deklaruar që këtë e ka realizuar nëpërmjet joshjes dhe në asnjë rast me dhunë. Në bazë edhe të ekspertizës mjekoligjore, është provuar fakti se e mitura ishte e defloruar. Gjykimi ndaj Demir Hoxhës është zhvilluar me procedurë të përshpejtuar dhe Prokuroria e Fierit, në përfundim të gjykimit, kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, i pandehuri do të përfitojë uljen e 1/3 së dënimit që pritet të jepet nga gjykata.
Sipas të dhënave të paraqitura në dosjen e akuzës, ditën e premte, më 29.05.2015, rreth orës 07:25, e mitura, nxënëse e klasës së pestë, ka dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë.
Ajo është nisur me autobusin që kryen linjën KryekuqLushnjë. Pasi ka zbritur, ka shkuar në shkollë, kur i është afruar mësuesi Demir Hoxha. “Hajde futu brenda në klasë se do të vadisësh lulet”, i ka thënë ai 11 vjeçares. Ajo është futur në shkollë dhe pas saj edhe mësuesi, i cili ka mbyllur derën e shkollës me çelës dhe janë futur te klasa, e cila ndodhet në kat të parë.
Aty 62–vjeçari ka mbyllur sërish derën e klasës dhe i ka kërkuar nxënëses së tij ta linte çantën mbi bankë. Sipas Prokurorisë, ai e ka kapur prej trupi dhe i ka hequr pantallonat nga ku pasi e ka venduar mbi bankë, ka kryer marrëdhënie seksuale me të. “Dil jashtë dhe shko në rresht. Mos i trego njeriu”. Thuaju prindërve të të bëjnë një kontroll në Lushnjë se mos ke mbetur shtatzënë, por mos u thuaj se isha unë personi që kreu marrëdhënie me ty”. Kjo është porosia që i ka dhënë mësuesi nxënëses së tij para se ta lejonte që ajo të dilte nga klasa, ku më parë e kishte përdhunuar.