Pak vite më parë, ekonomisti i njohur Mario Monti, për një përputhje të habitshme koinçidencash, rastësisht, por dhe ligjësish, e pa veten kryeministër në një qeveri teknokratësh italianë, në një vend që kishte njohur breza të tërë burokratësh politikë. Monti ishte atipik. Dhe si kryeministër, ndër shumë gjëra të tjera, do të kujtohet për mënyrën sesi ai tentoi të luftojë evazionin e frikshëm fiskal në Itali. Çfarë dukej e pamundur të zbulohej dhe aq më pak të ndëshkohej, në fare pak kohë u bë e pamundur të mbulohej dhe të shmangej ndëshkimi. Sepse është aksiomë: krimi lëviz gjithmonë me makina luksi. Dhe duke ndjekur makinat, u arrit tek banditët e të gjitha llojeve. Mediat italiane të kohës u vunë në garë të botonin lajmet më të çuditshme të evazionit. Dikush që bënte pushime luksoze dhe paguhej me ndihmë sociale, një tjetër kishte Ferrari dhe përfitonte bursë shtetërore për të birin, një tjetër kishte një park të tërë makinash, vazhdonte të blinte makina antike dhe gjithashtu konsiderohej i varfër, e kështu me rradhë. Tatimorët e Montit bënë diçka fare të thjeshtë: trazuan ujrat. Kontrolluan makinat për të zbuluar të ardhurat, zbarkuan në vendet VIP të pushimit dhe identifikuan turistët e “varfër”. Për t’i detyruar të paguajë atë çfarë është e Çezarit që nga koha e Çezarit.
Histori të tilla të ngjshme në Gjermani nuk kursejnë askënd. Madje sa më i njohur në publik dhe sa më lart në hierarkinë shoqërore, aq më i fortë ngjan edhe ndëshkimi në rast se kapesh. Edhe në një vend si Spanja, sa për të marrë një shembull tjetër, futbollistët më të njohur në botë, Messi dhe Ronaldo, po kalojnë ditë e netë ankthi për shkak të problemeve me taksat. Dhe, pavarësisht përbetimeve për pafajësi, prokurorë e gjykatës, vendosin edhe burg për këto dy makineri industriale e njerëzore të prodhimit të parave dhe të emocioneve.
Shqipëria është ndryshe. Në Shqipëri nuk bëhet ende fjalë për të kontrolluar artistë, këngëtarë apo futbollistë. Këta, si rregull, janë të pasur vetëm në fotot e instagramit. As për njerëz me poste politike, që pjesmarrjen në politikë e kanë një biznes që nuk paguan fare taksa. Edhe pse në Shqipëri politika vazhdon të jetë biznesi më i madh. Kryeministri në fund të mandatit Edi Rama dhe kryeministri i ri në pritje të mandatit të dytë të tij Edi Rama, paralajmëroi ditë të vështira për një kategori gjithashtu të “rëndësishme” banditësh. Duke ndjekur aksiomën e vjetër se krimi lëviz me makina luksi. Duke paralajmëruar se “…mjafton që ky operacion ….të vihet në zbatim duke kontrolluar automjetet e këtyre personazheve. Mjafton që këta elementë shumë shqetësues për komunitetet, shumë shqetësues për rendin dhe për sigurinë, shumë shqetësues për faktin se mishërojnë pandëshkueshmërinë e më shumë se një çerekshekulli, të vihen para përgjegjësisë për të justifikuar vlerat marramendëse të automjeteve dhe aseteve të tyre…”.
Kaq e thjeshtë është që të nisë nga banditët. Nga njerëz të cilët lëvizin me makina dhjetra mijëra euro dhe nuk kanë librezë pune, që kanë standart oriental luksi dhe nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre. Zakonisht këta janë trafikantët e drogës që gjenden gjithkund. Apo dhe më keq akoma, gjobvënësit në biznese apo tek njerëz të thjeshtë. Kjo është hierarkia e krimit ordiner. Goditja e premtuar e tyre është vetëm një hap i parë dhe një rifillim i mbarë. Vullneti politik kundër krimit ja bën të pamundur jetën krimit ordiner, por do të ishte vërtet mëkat e krim nëse nuk do të kishte vullnet për të goditur krimin shumë më lart në hierarki. Në politikë e biznes. Aty ku banditët nuk mund të identifikohen thjesht nga makinat e tyre të luksit, në fakt.