Hakmarrja dhe larja e hesapeve janë dy pistat ku Policia e Vlorës po heton vrasjen e Marjen Xhaferaj, i cili u qëllua për vdekje mbrëmjen e së dielës në një lokal pranë Lungomares, shkruan “Panorama”.
Policia e Vlorës ka ngritur dyshimet se ekzekutimi i 37- vjeçarit me precedentë të më- parshëm penalë vjen në vazhdën e tre vrasjeve të ndodhura në Durrës, ku një prej viktimave ishte nipi i tij, Endri Çaushaj.
Kjo është pista kryesore ku është përqendruar Policia, por ka dyshime të forta se ai mund të jetë ekzekutuar edhe për pazare droge, duke u bazuar tek e shkuara kriminale e 37-vjeçarit vlonjat.
Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se Xhaferaj, i cili njihej në Vlorë me emrin “Reni”, ka qenë objektivi i atentatit të ndodhur më 20 dhjetor 2015 në qytetin e Durrësit ku mbeti i vrarë nipi i tij (djali i motrës) Endri Çaushaj dhe Ervin Kodra. Sipas të njëjtave burime, në këtë ngjarje 37- vjeçari ka qenë dëshmitar okular dhe ka pasur dyshime se objektiv ka qenë pikërisht ai.
Siç mësohet, Marjen Xhaferaj kishte fajësuar për këtë ngjarje Gazmend Çollakun, i cili u rrëmbye, dhunua dhe ekzekutua në veri të qytetit të Durrësit pak kohë pas vrasjes së Endri Çaushajt dhe durrsakut Ervin Kodra. Vrasja e dy të rinjve ndodhi në hyrje të Portit të Durrësit, pranë “Torrës Veneciane”, në momentin që ata ishin ndarë nga shokët e tyre teksa qëndronin në një lokal, ku ndodhej Marjen Xhaferaj.
Edhe pse viktima e djeshme në Vlorë është me precedent kriminal, sipas Policisë, fakti i vetëm që e lidh këtë ngjarje është pikërisht vrasja e 20 dhjetorit të vitit 2015 në afërsi të ish-Vollgës.
Asokohe u fol shumë në lidhje me atë ngjarje dhe vetëm dy javë më vonë ndodhi rrëmbimi, masakrimi dhe vrasja e Gaz Çollakut, krim që në fakt u lidh gjithnjë me vrasjen e dy djemve, Ervin Kodra dhe Endri Çaushaj.
Megjithë hetimet intensive, për vrasjen e dy të rinjve, Policia nuk ka asnjë të arrestuar, ndërsa për rrëmbimin dhe vrasjen e Çollakut është arrestuar Denis Shtraza, pavarësisht se ky i fundit refuzon kategorikisht se nuk ka lidhje me rrëmbimin e ish-shokut të tij.
Në këto kushte, Policia e Vlorës krahas hetimeve të përgjithshme është përqendruar pikërisht te kjo ngjarje për të zbardhur vrasjen e 37-vjeçarit Xhaferaj, me mbiemër të ndryshuar (Omeri mbiemri real i tij).
Policia dhe Prokuroria kanë hapur dosjet e vjetra të Vlorës për të mësuar se ku mund të ketë qenë i përfshirë viktima e po ashtu bëhet me dije se në fokus është edhe çështja e vrasjes së nipit të tij në Durrës. PANORAMA