Nga Michael Knigge
Ndoshta është vërtet loja e fshehtë e Donald Trump-it që të shënojë një rekord të ri në të gjithë historinë e SHBA për periudhat më të shkurtra në detyrë dhe ndërrimin më të shpejtë të personelit tek bashkëpunëtorët e Shtëpisë së Bardhë. Po të jetë e vërtetë kjo, atëherë me shkarkimin e drejtorit të komunikimit të emëruar vetëm pak ditë më parë, Anthony Scaramucci, qeveria e tij ndodhet realisht në “rrugën e duhur”, siç i pëlqen Presidentit të thotë, për ta plotësuar këtë mision.
Por lirimi i posteve të zëdhënësit të shtypit të Trumpit, Sean Spicer, shefit të shtabit të tij, Reince Priebus dhe drejtorit të sapoemëruar të komunikimit në një distancë kaq të shkurtër kohore në të vërtetë është shumë problematik, sa të mund të zbavitesh me këtë. Sepse rrethanat në të cilat të gjithë ata u larguan nga Shtëpia e Bardhë, janë kaq dramatike, sa nuk do të gjenin dot vend as në serialin kult “West Wing” – dhe atje sidoqoftë bëhej fjalë vetëm për të përpjetat dhe të tatëpjetat personale dhe politike të një qeverie të SHBA.
Shtëpia e Bardhë në sherr
Intrigat e pandërprera janë kthyer në një element të përhershëm në Shtëpinë e Bardhë dhe në kohën e sfidave të brendshme dhe ndërkombëtare e kanë bërë rezidencën qeveritare pa drejtim dhe kaotike. Në situata normale, është detyrë e Shtëpisë së Bardhë që të hartojë një agjendë politike të qëlluar për qeverinë dhe një proces pune midis ministrive të ndryshme, institucioneve dhe kongresit – por nën Trumpin Shtëpia e Bardhë është shumë e preokupuar me armiqësi dhe tradhëti. Mungesa e përvojës politike dhe profesionale të shumë prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Trumpit sigurisht mund të ketë kontribuar për këtë, por ajo nuk është arsyeja kryesore për paaftësinë e kësaj Shtëpie të Bardhë nën Presidencën e Trumpit.
Problemi kryesor, le të flasim ndershmërisht, se pse kjo Shtëpi e Bardhë thjesht nuk funksionon në shumë pjesë të saj është vetë Presidenti. Sepse Presidenti Trump jo vetëm që e ka zgjedhur vetë pjesën më të madhe të bashkëpunëtorëve të tij, shpesh kundër këshillës së vëzhguesve me përvojë, por ai duket se mendon, që një kulturë e hidhur e të punuarit të njërit kundër tjetrit të individëve dhe fraksioneve në Shtëpinë e Bardhë mund të jepte rezultate të mira. Por kjo nuk po ndodh.
Mungon zinxhiri i urdhërave
Sa problematike është në njërën anë klima në punë e ngritur nga Presidenti, e tillë është nga ana tjetër edhe paaftësia e tij për të lejuar, pa lëre për të kërkuar, një zinxhir të qartë urdhërash, që nuk e përfshin atë vetë në çdo hap të veçantë.
Scaramucci, i cili sillej si një Alter Ego e Trumpit, jo vetëm që e parashikoi rrëzimin e rivalit të tij Priebus, por edhe mburrej, se ai i raportonte direkt Trumpit dhe jo si veprohet zakonisht, shefit të shtabit të tij. Presidenti me sa duket zotëron aftësinë për të ndërhyrë në të gjitha gjërat dhe për të mos respektuar protokollin e konsoliduar.
E shoqëruar kjo me tendencën e Trumpit për të shkaktuar debat me daljen e tij private në twitter dhe vështrimin e tij – le ta quajmë jokonvencional – ndaj ngjarjeve aktuale, sjellja e Presidentit ka bërë që Shtëpia e Bardhë dhe përtej saj, e gjithë qeveria, të jetë de facto e paaftë për të qeverisur.
Kufijtë e pushtetit të John Kelly-t
Shembulli më i fundit për këtë erdhi, kur Trumpi e përfundoi një tweet me fjalët “nuk ka kaos në Shtëpinë e Bardhë”, vetëm pak orë para largimit të Scaramuccit. Ky lajm lë të hapura dy çështje: A e beson vetë Presidenti atë që shkruan? Nëse po, ky është një problem i madh. Së dyti, dhe kjo është më e rëndësishme, a do t’i lejojë Presidenti Trump shefit të ri të shtabit të tij, John Kelly që të ketë në zotërim jo vetëm Shtëpinë e Bardhë, por edhe atë vetë?
Në bazë të asaj që kemi vënë re gjashtë muajt e kaluar, unë nuk do të vija bast për këtë. Edhe nëse vazhdon të jetë e pamundur të parashikosh ndonjë zhvillim në këtë drejtim: Po të dështojë edhe kjo përpjekje për të vënë rend në Shtëpinë e Bardhë, atëherë do të kemi një sinjal të qartë që presidenca e Trumpit është e dënuar të dështojë.