Babë e bir u arrestuan nga Policia e Tiranës e cila zbuloi 55 kilogramë kanabis në një operacion të zhvilluar më 31 korrik të koduar “End of Juy”.
Policia kishte marrë informacione për shitje të sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike që kryhej në zonën e Kamzës, dhe gjatë operacionit të nisur ka konstatuar një automjet Ford Fokus duke lëvizur pranë kthesës së Kamzës të cilin e drejtonte Avni Elezi 34 vjeç.
Nga ana e shërbimeve të policisë është bërë ndalimi i mjetit, ku janë vënë re lëvizje të dyshimta të drejtuesit të mjetit dhe menjëherë është bërë kontrolli fizik i automjetit, ku në sediljen e pasme të pasagjerit është gjetur një letër e bardhë brenda të cilës kishte bimë “Cannabis Sativa”.
Duke qenë në kushtet e flagrancës shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e Avni Elezit, ku gjatë kontrollit të ushtruar në prezencën e babait të tij Bajram Elezi, në korridorin e një magazine janë gjetur dy fuçi ngjyrë të kuqe brenda të cilave kishte bimë “Cannabis Sativa”.
Në kushtet e flagrancës nga ana e seksionit të narkotikëve është bërë arrestimi i Avni Elezi, 34 vjeç dhe Bajram Elezi, 66 vjeç, atë dhe bir, banues në fshatin Mener.
U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 55 kg lëndë narkotike, automjeti tip “Ford Focus” dhe 2 telefona celularë.
Ato do të hetohen nga Prokuroria e Tiranës për veprën penale “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”. /b.d