Vendimi i gjykatës kroate për ekstradimin e Ballist Morinës në Serbi, ka bërë që grupimi “Tifozës Kuqezi” të protestojë përpara Kryeministrisë. Tifozët mbanin pankarta në duar “Lironi Ballistin”, “Liri për Ballistin”, ndërsa nuk munguan as thirrjet “Serb i mirë është serb i vdekur”.
Në këtë tubim merrte pjesë edhe vëllai i Ismail Morinës, Xhevair Morina i cili mbante në duar flamurin kroat, pasi është pikërisht gjykata kroate ajo që ka vendosur ekstradimin e tij në Serbi. Gjatë një prononcimi për Report Tv ai bëri sërish apel për lirimin e Ismail Morinës.
“Le të vijojnë negociatat për lirimin e vëllait tonë. Nëse ekstradohet në Serbi është një turp, është një kafshatë që nuk mund të kapërdihet. Ndërsa ne si familje do marrim masa shumë ekstreme. Jemi përpara një armiku shekullor të shqiptarëve dhe si të ekstradohet atje ai. Në flamurin që ngriti në Beograd vendosi dy figurat tona historike kombëtare, Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin. Jemi të lodhur fizikisht nga kjo, por jemi të fortë dhe do të bëjmë të pamundurën“.
Gjykata e Dubrovnikut vendosi dy ditë më parë të ekstradojë në Serbi Ismail Morinën. Familjarët e tij kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi duke paralajmëruar se familja do të marrë një vendim ekstrem nëse i afërmi i tyre dërgohet përpara drejtësisë serbe.
Mes protestuesve të shumtë kishte edhe nga ata që vinin nga qytetet e Kosovës, të cilët paralajmëruan se tubime do të zhvillohen edhe atje.,.
“Vij nga qyteti i Mitrovicës, dhe kërkesa ime është të mos ekstradohet Ballist Morina në Serbi. I bëj thirrje Ilir Metës, Edi Ramës të mos lejojnë ekstradimin e Ballistit në Serbi.
Ne si kosovarë e dimë se çdo të thotë të biesh në duar të serbëve. Ata do ta ekstradojnë. Nëse do të dënohet, le të dënohet në Tiranë dhe jo në Serbi. I gjithë populli shqiptar të ngrejë zërin për lirimin e Ballist Morinës”, u shpreh një protestues nga Mitrovica.