Si shumë shqiptarë të tjerë, ai kishte shkuar në Britani të Madhe për një jetë më të mirë. Por gjërat morën një tjetër rrjedhë.
Sapo kishte mbërritur në Angli, ai u sistemua në një banesë, në të cilën nisi të kultivonte kanabis.
Rashat Haxhiu 21 vjeç u arrestua nga policia pasi u zbulua aktiviteti kriminal në banesën e tij në Dipton, Durham.
Kanë qenë banorët që njoftuan policisë pas shqetësimeve që kishin patur nga era e kanabisit. 21-vjeçarit ju gjetën në banesë 281 bimë narkotike kanabis me vlerë 126 mijë stërlina. Në momentin kur policia trokiti në derën e Rashat Haxhiut, ai u tha se ishte një shtetas italian. Por ky pretendim i tij ra menjëherë pasi autoritetet i gjetën pasaportën shqiptare.
I riu nga Shqipëria pranoi krimin dhe tha se kishte kultivuar kanabis për të patur më shumë të ardhura. Rashat Haxhiu pohoi gjithashtu se kishte paguar 7 mijë stërlina për të shkuar ilegalisht në Angli, i fshehur në pjesën e pasme të një kamioni.
Gjykata e dënoi atë me 2 vite burgim dhe pas përfundimit të dënimit do të dëbohet në Shqipëri. /Tvklan.al/b.d