Akademiku Arben Malaj është përfshirë në debatin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm nga Bashkia e Tiranës, duke bërë një analizë të ftohtë dhe të qartë për tregun, ekonominë, financat dhe investimet.
Ai thotë se duhet të ketë politika që asnjë individ apo familje shqiptare në vështirësi të mos penalizohet por nga ana tjetër thekson se në emër të tyre nuk duhen penguar reformat.
Nga Arben Malaj/
Një kontribut lidhur me debatin e tregjeve të rregulluara ku përfshihet edhe furnizimi me ujë. Jo të gjitha tregjet në ekonomi janë të rregulluara apo të mbikëqyrura nga ente apo autoritete publike.
Këto autoritete përgjithësisht zgjidhen nga Kuvendi, për t’ju ofruar mundësi për pavarësi reale në vendimet e tyre përballë vendimeve të qeverise qendrore apo vendore dhe në ballafaqimet e tyre me kompanitë private kur kërkojnë rritje të tarifave apo përfitime të tjera.
Tregjet financiare, ku përfshihen edhe bankat, janë tregjet të kontrolluara sepse deformimet dhe krizat e tyre cenojnë stabilitetin financiar të një vendi, prodhojnë kriza dhe dëmtojnë depozituesit dhe investitorët e vegjël.
Entet apo autoritetet rregullatore dhe mbikëqyrëse të telekomunikacionit, energjisë, ujit etj kanë për detyrë të garantojnë funksionimin sa më mirë të tregjeve respektive, ku në qendër është konsumatori, përfituesi final, i cili duhet të jetë i mbrojtur nga deformimet e tregut.
Në rastin konkret ky treg rregullohet që të garantojë furnizimin e pa ndërprerë me ujë, furnizimin me ujë të cilësisë më të mirë dhe ta ofrojë me çmime sa më të arsyeshme.
Tregu mund të deformohet nga interesa të kompanive private dhe publike që kërkojnë të mbulojnë keq menaxhimin e tyre duke kërkuar rritje të tarifave, mund të dëmtohet nga politika populiste të uljes së tarifave e cila dëmton stabilitetin financiar të këtyre kompanive. Kjo rrit ndjeshëm kërkesat dhe presionet për subvencionet shtetërore, pra taksat e taksapaguesve nuk shkojnë për arsim, shëndetësi, kujdes social, por për të mbuluar humbjet e këtyre kompanive.
Tarifat e ujit duhet të garantojnë mbulimin e kostove dhe një normë fitimi të nevojshme për të investuar për të garantuar furnizimin 24 orë në shtatë ditë të javës.
Në jo pak raste tarifat e shërbimeve përdoren edhe për të ndikuar mënyrën e sjelljes ndaj përdorimit të ujit. Patjetër që duhet të njihet dhe të sigurohet mbështetje për shtresat në nevojë. Politikat sociale nuk i ofrojnë apo garantojnë kompanitë e shërbimeve por qeveria qendrore dhe lokale. Përfshirja sociale është sot parimi kryesor i çdo reforme, çka në thelb kërkon që të mos goditen shtresat e varfra.
Në rastin konkret ndërmarrja e ujësjellësit të Tiranës do të përfitojë vetëm të ardhurat nga rritja e çmimit, ndërsa qeveria qendrore do të marre si të ardhur shtese, të ardhurat nga tatimi i fitimeve të rritura dhe burimi shtesë do të jenë sidomos të ardhurat nga TVSH e cila është 20%. Këto dy të ardhura janë dy burime të rëndësishme dhe të konsiderueshme për të financuar shtresat në nevojë.
Pra asnjë individë apo familje shqiptare që gjendet në vështirësi reale për të paguar drita dhe ujin, nuk duhet të penalizohet. Por në emër të tyre nuk duhen penguar reformat të cilat po dështuan mund të prodhojnë kriza dhe kosto më të rënda.
Na duhet të funksionojë sa më mirë sistemi i mbrojtjes dhe asistencës sociale, na duhet të garantojmë që asnjë shqiptari brenda disa kuotave të arsyeshme nuk do t’i mungojnë dritat dhe uji. Eficenca e këtij sistemi mbrojtje sociale, lehtëson kosto sociale të reformave kritike në sektorë jetikë për çdo individ e familje.
Ekonomistët janë të bindur se kriza e ujit vlerësohet sot si kriza potenciale më e rëndë për vitet e ardhshme, si për furnizimin me ujë edhe për prodhimet bujqësore dhe industriale.
Kriza e ujit për pasojat e saj të rënda konsiderohet edhe si element i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, pasi dëmtimet e saj janë masive, janë në shumë sektorë jetikë të ekonomisë. Ju falënderoj, Arbeni