Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka prishur dy objekte të shpronësuara në Dhërimi. Sipas IKMT, prishja e këtyre objekteve bëhet në kuadër të rehabilitimit të qendrës në Dhërmi. Pas këtyre prishjeve në Dhërmi ka reaguar qeveria greke. Në një deklaratë lëshuar të mërkurën pasdite, ministria e Jashtme e vendit fqinj vë në dukje se “për fat të keq, autoritetet shqiptare filluan sot në Dhërmi të Himarës shembjen e objekteve turistike që u përkasin pjesëtarëve të minoritetit grek”.
Sipas ministrisë së Jashtme greke, shembjet po realizohen duke shkelur dispozitat e legjislacionit shqiptar dhe para se të shpallen vendimet gjyqësore të formës së prerë.
“Greqia është në favor të perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Mirëpo, kusht për këtë integrim europian është përkushtim i i këtyre vendeve ndaj rregullave europiane dhe parimet e shtetit të së drejtës. Shkelja e këtyre parimeve nga një shtet kandidat për anëtarësim do të thotë që në të vërtetë, ai shtet nuk e dëshiron rrugën e vet europiane”, thuhet në deklaratën e ministrisë së jashtme greke.
Athina zyrtare vëren se “mbrojtja e të drejtave të pronësisë e pjesëtarëve të minoritetit lshtë përcaktuar nga këshilli i ministrave të jashtëm të BE-së si një nga kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë”.
“Fakti se shembja e objekteve po bëhet në mesin e sezonit turistik, megjithëse ligji parashikon pezullimin e veprimtarive të tilla në këtë moment kohor, konfirmojnë se Shqipëria nuk i ka kuptuar kërkesat e këshillit të ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian”, konkludon ministria e Jashtme greke./Ora news
ma.me