Vettingu” është testi i politikës shqiptare. Këtë e konfirmon edhe ambasadori i Britanisë në vendin tonë, Duncan Norman, MBE i cili nga Shkodra bashkë me vlerësimin e procesit zgjedhor të 25 qershorit, vuri theksin tek rëndësia që ka reforma në drejtësi për të ardhmen e Shqipërisë.
“Kemi pare zhvillime të rëndësishme në Shqipëri muajt e fundit, ku u mbyllën me sukses zgjedhjet parlamentare dhe në shtator do të formohet qeveria e re. Reforma në drejtësi është shumë e rëndësishme për vendin. Jemi te kënaqur me legjislacionin, por ndryshimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm. Ajo që duam të shohim është që këto ndryshime me vettingun të zbatohen në mënyrën e duhur. Qëllimi i reformës është: një sistem drejtësie i drejtë dhe efikas.”, tha Duncan Norman MBE, ambasadori i Britanisë/
Për të treguar që “Brexit” është vetëm dalje nga Bashkimi Europian, por jo shkëputje e maredhenieve me Europën, ai u kujdes të theksojë: “Britania është duke u larguar nga BE, por jo nga Europa ! Marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor do të thellohen. Këtë vit ambasada jonë në Tiranë do të dyfishohet sa i përket stafit. Qëllimi ka të bëjë me faktin se po punojmë ngushtë me qeverinë shqiptare kundër krimit te organizuar, po kështu edhe për ushtrinë dhe në këtë vit kemi përherë të parë një atashe ushtarak në Tiranë. Vitin tjetër gjithashtu në Londër mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor”.
Por ajo që mbetet shqetësim për Britaninë, e që lidhet me Shqiptarët në mënyrë të drejtpërdrejtë, është përfshirja e tyre në tregun e kokainës.
“Emigrantët shqiptarë në Britani janë ura miqësie mes dy vendeve. Isha në një aktivitet të tyre kohët e fundit dhe ato luajnë një rol pozitiv në afrimin e dy vendeve. Por ka edhe çështje negative, siç janë lidhjet mes krimit te organizuar. Kokaina mbetet shqetësim, pasi një pjesë e madhe e tregut administrohet nga shqiptarët. Kjo është një çështje që po bashkepunojmë me qeverinë në Tiranë për t’i luftuar.”, tha diplomati britanik.
Deklaratat ai i bëri pasi vizitoi veriun e Shqipërisë, ku pa nga afër bukuritë që ofron kjo zonë. Ambasadori vlerësoi resurset që ka Shkodra, duke e pagëzuar si një qytet të veçantë, e që lidhjet me të i ka nisur kur hodhi hapat e parë të mësimit të gjuhës shqipe. /ora news/b.d