Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin ka përsëritur qëndrimin e Unionit se procesi zgjedhor i 25 qershorit në Shqipëri ka qenë më i mirë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
“Në zgjedhje pati disa çështje të vogla të cilat u zgjidhën dhe pas dy muajsh do të jetë gati raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR, që do të flasë për zgjedhjet dhe si kanë shkuar ato. Megjithatë dua të them që ishte një gjë e mirë që të gjitha partitë politike në vend i pranuan menjëherë rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Po ashtu pati disa ndërhyrje në KQZ në momentet e duhura. Ajo që dua të them është se në Shqipëri, nga një proces zgjedhor në tjetrin ka patur përmirësime”, ka deklaruar Vlahutin.
Përfaqësuesja e BE kërkon që sa më shpejt të nisë puna për reformën zgjedhore, në mënyrë që të vihen në zbatim rekomandimet e dhëna nga OSBE, veçanërisht për depolitizimin e zgjedhjeve.
“Shpresoj shumë që Parlamenti i ri i vendit të fillojë nga diskutimet për reformën zgjedhore në vend. Reforma zgjedhore nuk mund të bëhet dy, tre muaj para zgjedhjeve, por duhet diskutuar sa më shpejt që të jetë e mundur, prandaj unë them që duhet të fillojë që në vjeshtë”, ka thënë Vlahutin.
Dy ditë me parë eurodeputeti MecAllister deklaroi se negociatat me Shqipërinë mund të hapen vitin tjetër. e pyetur për këtë, Vlahutin nuk ka dhënë një datë të saktë por ka përmendur kushtet, një prej të cilave është nisja e zbatimit të vettingut, por edhe lufta kundër kanabisit.
“Ne shpresojmë që rezultatet të na çojnë në atë moment kur Këshilli të ketë mundësi të vendosë të hapë negociatat me Shqipërinë. Është shumë herët për të folur, por duhet të shohim rezultatet dhe do jemi më të qartë në fund të vitit”, ka shtuar Vlahutin.