Zoti Braçe, jeni nga deputetët më jetëgjatë të Parlamentit pluralist shqiptar. Cili është sekreti i kësaj jetëgjatësie?
Të konsideruarit e qenies deputet-anëtar i Kuvendit, si detyrë, punë nën kontratë. Të konsideruarit e politikës në thelb të punës në Kuvend, si shërbim publik për njerëzit e zakonshëm; ligjbërja dhe kontrolli i qeverisjes si detyrë e përditshme, zhveshur tërësisht nga interesat personale, të cilat në mënyrë të qartë shkatërrojnë qëllimin e kësaj kontrate. Përmbushja e kësaj kontrate duke shërbyer për njerëzit e zakonshëm, ndarë me ta interesa të përbashkëta publike, shpesh tërësisht të kundërta me ato të një qeverie si ajo e Sali Berishës në kohët e tij, por në plot raste të ndryshme edhe me ato të qeverive të Partisë Socialiste dhe aleatëve të saj, mendoj unë se është beteja që nuk mbaron kurrë. Nuk po them që koha nuk mjafton, domethënë që unë nuk kam gjatë në Kuvend. Por puna, shërbimi, veprat si produkt i tyre, duhet të jenë elementët që plotësojnë vitet. Pa to, vitet në Kuvend janë kot, renditen si mburrje e gjithkujt që ka kaluar aty dhe kaq.
Në fakt gjatë karrierës suaj ju kemi parë të jeni herë tejet kritik me kryetarin, cilido ka qenë ai, herë mbështetës, por një gjë është e dukshme që Edi Rama ju vlerëson. Si ndiheni në këtë raport të vendosur me kryetarin e partisë?
Asnjëherë nuk e kam kuptuar përse bën kaq përshtypje kjo! Për mua është gjendja më normale në marrëdhënie mes dy njerëzish politikë, tamam kur secili prej tyre gjykon se duhet të thotë atë që mendon për parime, çështje, praktika, por edhe për punën e secilit nën një kontratë politike në parti apo më gjerë se kaq, tek njerëzit e zakonshëm që kanë të drejtën të gjykojnë gjithkënd. Për këto kam qenë edhe kritik, por edhe vlerësues, duke pasur vetëm një standard të vërtetën. Fatos Nano, Edi Rama gjithashtu, kanë qenë e janë njerëz të lirë, jo për shkak të pushtetit politik, ekzekutiv qendror apo vendor, por për shkak të respektit ndaj lirisë së tjetrit. Të dy e kanë vuajtur mbi kurriz cenimin e lirisë, dhunshëm e fizikisht madje, për t’i shtypur, izoluar e përjashtuar, ashtu siç Sali Berisha di të bëjë, por kurrë nuk u dorëzuan, luftuan dhe kurrë nuk e shtrinë këtë platformë dhune ndaj të menduarit, të menduarit kritik posaçërisht, në PS. As jashtë saj. Unë jam një ndër përfituesit, nëse mund ta them këtë. Por është më shumë se kaq, është Partia Socialiste, mjedisi institucional që e garanton këtë liri. Gjithnjë, nëse ti nuk e përdor lirinë tënde për të shtypur të tjerë si ty, për t’ju imponuar gjithkujt pa pranuar kurrë një herë të ndalesh për t’i dhënë mundësi vetes të mendojë, analizojë, reflektojë. PS ka treguar se ka një instinkt vetërregullues në të tilla raste. Unë jam munduar ta njoh nga afër, brenda, të gjithë këtë marrëdhënie në PS, është e njëjta, nuk ndryshon nga kryetari. Shpesh them: Mos ia bëj kurrë borxh PS-së! Socialistët kam parasysh me këtë dhe kjo vlen për të gjithë, nga anëtari më i zakonshëm deri tek kryetari i PS-së, për mua pa diskutim. A ndihem unë i vlerësuar? Po! Mundësia për të punuar, shërbyer, ndërtuar nuk i jepet kujtdo në këtë vend, posaçërisht në këto nivele. Unë e kam një mundësi dhe jam mirënjohës për këtë. Nuk ka si vlerësimi për punën që bën! E kam mësuar në Divjakë këtë, mes myzeqarëve e prej tyre. Nuk ka punëtorë si ata, punën kanë, me punën rrojnë, për punën kërkojnë t’u shërbesh, punën duan t’u lehtësosh, punën duan t’u vlerësosh.
A mendoni edhe ju se ajo vija që vendosi Gramoz Ruçi në Fier, duke e vënë veten të nëntin në listë solli edhe këtë rezultat, pra një mandat më shumë për ju në këtë qark?
Shikoni, Gramoz Ruçi është një model në Partinë Socialiste. Për marrëdhëniet me njerëzit së pari; në Partinë Socialiste, me socialistët e zakonshëm, por edhe jashtë saj, me njerëzit e zakonshëm, pa bërë dallim mes tyre për t’i ndarë në të majtë ose jo, për t’u hapur telefonin, pritur, dëgjuar, zgjidhur apo kthyer pas kur kërkojnë atë që nuk e meritojnë. Është pika e domosdoshme e ekuilibrit në një parti, tamam aty ku ndahet dhe duhet të ndalet fuqia e pushtetit nga pushteti i njerëzve të zakonshëm. Por, Gramoz Ruçi është edhe një fuqi e pazëvendësueshme organizative në PS. Dhe ai është shembulli. Standardi i vendosur këto zgjedhje-renditja në minimumin e objektivit në listën e kandidatëve të PS-së solli shembullin e një drejtuesi politik në një betejë elektorale. Keq më vjen, por nuk e ndoqi kush tjetër nga drejtuesit, mbase për këtë qarku i Fierit shkëlqen. Ndërkohë, mos ma merrni për fodullëk, rezultati fantastik në Fier-kishte mundësi edhe për pak më shumë; nuk është produkt i fushatës katër apo tetëjavore për mua. Është punuar shumë në Divjakë, Lushnjë, Roskovec, Patos, Ballsh, Fier çdo ditë në katër vite. Është punuar shumë me njerëzit, interesat e tyre komunitare dhe të ekonomisë familjare, nuk kemi munguar një ditë të vetme për ta bërë këtë. Natyrisht, nuk kemi bërë gjithçka, nuk mjaftoi as koha e as zyrtarët që u emëruan për të kryer detyra, por njerëzit vlerësuan punën e bërë dhe peshuan mundësinë që ne propozuam për të bërë edhe më shumë. Thjesht, qartë, por bindshëm.
Do ta votonit zotin Ruçi si kryetar të Kuvendit të ri?
Pa asnjë mëdyshje! Besoj shumë se Kuvendi do të rifitojë dimensionin e humbur në mes të banalitetit apo prej banalitetit këto 12 vite.
Ju kemi parë që si deputet i zonës së Lushnjës, Divjakës promovoni shumë prodhimet e fermerëve atje. Nga ana tjetër, duket nisur nga kjo, por edhe nga debatet që keni pasur me ministrin Panariti qarkullojnë edhe zërat se ju mund të jeni ministër Bujqësie në kabinetin e ri. Do ta pranonit një detyrë të tillë, nëse do t’ju propozohej nga Kryeministri?
Aaa po, po, patjetër, e kam dëgjuar dhe unë këtë. Por, jo tani. E kam dëgjuar katër vite me radhë. Sa herë shihja politikat e ndërtuara keq, denoncoja ndarjen e përdorimin klientelist, korruptiv të parave publike për bujqësinë, kërkoja ndryshim në shërbim të bujqve të Divjakës e Lushnjës, veçanërisht në përmbushje të infrastrukturave bazë-vaditje e kullim, merrja pas kurrizi sulmin: ‘Ai nuk flet parimisht, kërkon të bëhet ministër, do karrigen’. Në fakt, unë flisja konkretisht, më konkretisht se kushdo në atë ministrinë prej Tirane. Flisja nga bujqit. I bindur se puna nuk bëhej duke parë kalin e Skënderbeut e atë vetë mbi kalë me shpatën në dorë. Puna bëhej me bujqit, duke iu gjendur jo vetëm me infrastrukturën bazë, vaditje, kullim, rrugë parcelash, por edhe me “para në dorë” për t’i hequr shpenzimet bazë të punës me tokën. Duke ndryshuar kahjen e financimit e duke e drejtuar tek bujqit, prodhuesit. Ende nuk e kam një të vetëm në Lushnje e Divjakë, bujk të zakonshëm them, që të ketë përfituar një qindarkë për punën me tokën, prodhimin. Do pres deri në shtator xhanëm, tamam atëherë, kur të çlirohen zyrat e letrat të mos jenë më pronë e ministrit hije në atë ministri. Kështu, mos i dëgjoni këto “llafe”. Puna është një gjë shumë serioze për mua. Puna vlen. Punën di të bëj. Llafet i kanë zanat këta. A e mban mend si thanë në fushatë; Braçe flet për bujqësinë si Basha! Pra jo si ministër, por si Basha. Punë llafesh domethënë. Përgjegjësia që kemi marrë këtë herë në qark, Fier, Lushnjë e Divjakë, trekëndëshin që bart ekonominë më të madhe bujqësore në vend, është shumë, shumë më e madhe se llafet, kërkon punë dhe ne punën dimë të bëjmë tashmë.
Përpara publikimit të listës së kandidatëve për deputetë, disa prej emrave të njohur, figura të hershme të PS-së si Namik Dokle, Arta Dade e më pas Valentina Leskaj pranuan të mos rikandidojnë. Ndërkohë që në kabinetin e mëparshëm nuk u përfshinë nga kryeministri Rama asnjë nga “të vjetrit”. A ka ardhur koha që këtë herë të jenë pjesë e qeverisë ndoshta edhe Pandeli Majko, apo Bashkim Fino, etj.?
Shikoni, unë mendoj se qeveria është një gjë serioze, ndërtimi i saj është një proces kushtetues. Qeveria kështu, nuk bëhet nëpër gazeta e as nga gazetat. Por as nga gojët e gjithkujt, përfshi dhe mua. Qeveria me Kushtetutë ndërtohet nga kryeministri. Është atribut i tij dhe natyrisht, ai do e bëjë. Kryeministri është Edi Rama. Jo unë! Ndërkohë, kam respekt të posaçëm për të gjithë shokët e miqtë që përmendët. Kemi bërë beteja të mëdha bashkë, iu jam shumë mirënjohës për gjithçka kanë bërë, kemi bërë.
Jeni i kënaqur apo i shqetësuar nga prishja e aleancës me LSI-në?
As njëra e as tjetra! As e marr më mundimin të them çfarë kërkuam deri pak para zgjedhjeve. Fare! Mos harroni, kanë vendosur njerëzit me votë. Tani ka rëndësi vetëm puna, menjëherë. Në krye të punës duhet të jetë qeveria e re, për mua dhe kjo menjëherë. Por, po kaq rëndësi ka edhe ndërtimi i një platforme qeverisëse të hapur, transparente, të kontrollueshme, pse jo edhe të kritikueshme. Manifesti elektoral i Partisë Socialiste mund të jetë një bazë e mirë për të nisur. Por e kuptoj, duhet më shumë se kaq, duhet dhënë mundësia popullit të dijë, të pyesë, të kontrollojë, të kritikojë, të korrigjojë, të ndryshojë, pse jo të vendosë bashkë me qeverinë. Patjetër që qeveria duhet të udhëheqë, duhet ta bëjë këtë me vizion dhe vendosmëri, rezultate dhe modesti, por ka shumë rëndësi që njerëzit të jenë pjesë dhe të kenë lirinë për të bërë gjithë sa më sipër, të dëgjohen dhe respektohen në atë që mendojnë, atë që kërkojnë, atë që duhet bërë. E di që është e vështirë, veçanërisht kur nga populizmi ndan vetëm një fije. Por duhet bërë, me këtë kujdes, pa rënë në populizëm dhe duke bërë gjënë e duhur sipas ligjit dhe vetëm në respekt të tij. Ky është shqetësimi tani. Askush tjetër nuk mund të shfokusojë PS-në, pavarësisht këngës poshtë apo sipër tavolinës.
Partia Socialiste vërtetë i ka mandatet për të krijuar qeverinë e vetme, por në Parlament do të keni nevojën edhe të disa votave më shumë për të arritur numrin 84 për ligje që e kërkojnë këtë lloj shumice. A e ndjeni këtë “rrezik”?
Jo, për të krijuar e vetme qeverinë, por për të qeverisur siç ka premtuar, siç duhet dhe siç është besuar. Unë mendoj se shumica e krijuar me votë nga shqiptarët është e mjaftueshme për të qeverisur siç thashë, për të pasur rezultate që ndikojnë në jetën, arsimin, shëndetin, sigurinë, punën, sipërmarrjen, mirëqenien e njerëzve. Modestisht gjithnjë. Por, nëse duhet më shumë se kaq, patjetër që duhet folur me këdo, me opozitën, por unë them edhe me popullin. Gjithnjë, nëse opozita dhe të marrurit me të deformon parimet, cenon cilësinë e reformave, ndryshon kahun e qeverisjes së fokusuar tek interesi publik dhe ai i njerëzve të zakonshëm. Reforma në Drejtësi sipas asaj marrëveshjes së 21 korrikut është shembulli, i cili për mua djeg, kohë pas kohe e “var” fatin e reformës tek interesat politike e thellësisht personale të udhëheqësve humbës të palëve politike, tani edhe më gjerë se ata. Më besoni, thjesht kam parë edhe atë që ju nuk e keni parë dhe që ju është mohuar ta shihni apo dëgjoni, në shkelje të çdo ligji, prej 21 korrikut. Rreziku që vjen në të tilla raste është tjetërsimi i reformave, nisur gjithnjë nga një interes personal apo pak më i gjerë-dy, tre apo katër të tillëve të bërë bashkë; padobia e reformës, reformave është produkti.
Në këtë legjislaturë do të keni përballë dy opozita, PD-në dhe LSI-në, e cila duket po e përgatit veten qysh para nisjes së Kuvendit të ri. A e shihni të vështirë punën në Kuvend sa i përket miratimit të ligjeve që do të vijnë nga qeveria?
Shiko, dua të them disa gjëra: e para, të dyja partitë duhet të dalin në opozitë, menjëherë, siç populli “urdhëroi”. Kjo është themelore për të kuptuar kush është në pushtet dhe ka përgjegjësinë e qeverisjes dhe cila është në opozitë dhe ka përgjegjësinë e kontrollit të qeverisjes. Janë në pushtet, të dyja bashkë kanë më shumë se gjysmën e qeverisë aktuale, për të mos folur që kanë edhe Presidentin e Republikës tani. Po bëjnë dëm. Vendi për fat të keq është i paqeverisshëm në të gjithë kapacitetin funksional-qeverisës dhe, kjo është e qëllimtë. Prej të dyjave, edhe prej PD-së edhe prej LSI-së. Mjafton të veçoj energjinë – e patë të gjithë çfarë bënë dhe, bujqësinë – çdo ditë, po çdo ditë ama, letra nga “punët” me lekë të ministrit hije atje; vaksinave ç’i panë sytë thonë, për çdo gjë dhe për asgjë. E dyta, sa më parë të ikin nga pushteti, aq më shpejt do të ndalin sulmin mbi zgjedhjet e 25 qershorit, posaçërisht për krime që i kanë konsumuar pa hesap, jo vetëm gjatë fushatës e deri ditën e zgjedhjeve, por muaj të tërë me radhë, duke përdorur në maksimum pushtetin. Nëse ne heshtim, kjo ka të bëjë me punën që duhet të bëjmë e që duhet të jetë fokusi themelor. Por kurrë se ne paskërkemi vjedhur, blerë e ku di unë ç’tjetër, votat e atyre që ishin në qeveri me ne, madje me fuqi kontrolluese, bllokuese e ndaluese, ekskluzive. Natyrisht është ky qëndrim që s’i lejon ende të kuptojnë që janë urdhëruar të shkojnë në opozitë. Por edhe kolltuku ka të njëjtin efekt. Është një ushtri e tërë politike dhe elektorale mbi kolltuk dhe ajo është e gatshme ta lërë partinë nëse partia e le për të ndjekur urdhërimin e popullit, në opozitë. E di, dilemë e madhe është, por tashmë gjithçka ka ndodhur, nuk zhbëhet, ka votuar populli dhe kjo nuk kthehet më pas. E treta, sa më shpejt të pranojnë zgjedhjet mu siç komisionerët e tyre e kanë bërë me shkrim për çdo kuti votimi, aq më shpejt do ikin edhe nga gjuha e fushatës. Nuk di nëse e kanë kuptuar, por mua fjala bie, më ka ndihmuar shumë gjuha e tyre, e përbashkët në fushatë, veçanërisht ligjërimet me oligarkë e oligarki. Njerëzit dinin shumë, e bënë fare thjeshtë diferencën mes llafeve dhe veprave, ligjërimeve dhe ligjëruesve-si status ekonomik e social ata; të qartë kur thoshin se nuk luftohet oligarku e oligarkia duke i shtuar ti një kat apartamentit, duke shtuar ti një apartament të tërë, nuk luftohet oligarku e oligarkia duke i shtuar ti një kat vilës, duke shtuar një vilë të tërë këtu, në kontinent apo jashtë tij, nuk luftohet oligarku e oligarkia duke shtuar ti shpenzimet për jetën si oligarku, për të qenë dhe ti aty tek oligarkia, nuk luftohet oligarku e oligarkia duke e ushqyer ti me paratë publike vendimin për të cilat e kishe sërish ti në dorë, nuk luftohet oligarku e oligarkia duke e fshehur ti, herë si deputet i yti-i dyshuar, por prapë aty, herë si udhëheqës partie e herë pas udhëheqësit të partisë-një fëmijë apo një tjetër kot aty rrotull, për këtë qëllim. Kjo lloj gjuhe e ai status ekonomik që ja bën muuuu, solli vota por kundër tyre. E katërta, e lidhur pa asnjë diskutim me këtë gjuhë, por në vijim të saj, historia e ndërtuar me gjynahun për viktimën si provokim emocional për angazhimin e fortë-s’na ble, s’na shet, s’na shuan, s’na rruan dot, nuk vlen, s’i duhet kujt, as e ka kush për qëllim. Përkundrazi, gjuha e mësipërme vlen në një aspekt, bën efektin si në fushatë. Pra, interesi i ngushtë nuk është që secili apo secila nga këta në opozitë të flasë si në-rastin kur blihet apo shitet, por të flasë siç sot, siç dje, siç në fushatë. Madje sa më shumë të jetë e mundur, me zë por edhe figurë që të mos ngatërrohet asnjëherë, kurrë. E fundit dhe këtu po ndalem në emër; Lulzim Basha nuk ka qenë në fushatë, po fare. Dallohet qartësisht nga ajo që thotë tani. Nuk ka qenë në territor për një kohë të gjatë dhe në fushatë nuk ciku as një për qind të territorit. Votat e tij ishin në ajër, qyshkur u fut apo e futën në atë çadër. I “gjuajtën” të gjithë, mu siç ai e perceptoi vonë, shumë vonë, kur gjithçka kish mbaruar dhe klithmat e tij në ato ditë të posaçme të fushatës, nuk i kthenin dot pas. I mësoi vetë në zgjedhjet lokale dhe ata rrugën e dinin për tani. E keqja është se nuk ka kuptuar ende asgjë dhe dëmi që po i bën opozitës kryesore në vend është kolosal. Kuvendi nuk do e ndihmojë për këtë, përkundrazi, nuk do të bëjë dot as Kuvendin.