Kryetari i PS-së të Tiranës Saimir Tahiri ka vijuar dëgjesat me banorët e Njësisë 11 në Laprakë, për hartimin programit të ri të qeverisë. Sipas Tahirit, fakti që Partia Socialiste arriti të merrte 74 mandate është një përgjegjësi e madhe. Ai deklaroi se në 4 vitet e ardhshme opozita më e vështirë do jetë ajo e përballjes dhe zgjidhjes së problemeve dhe shqetësimeve të qytetarëve, se sa ajo në parlament.
‘’Për ne që kemi marrë besimin tuaj dhe besimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, kemi një barrë jo të vogël që është të qeverisim për të gjithë qytetarët, kjo pavarësisht nëse na kanë votuar apo jo. Por një barrë akoma më të madhe që të përballemi me opozitën e vërtetë jo të partive, me opozitën e vërtetë të secilit prej jush dhe opozita juaj është edhe opozita jonë praktikisht. Dhe opozita juaj është mungesa e ujit, mungesa e një investimi. Është problemi që keni me zyrat e shtetit. Çdo hall, çdo shqetësim dhe çdo vështirësi që ka qytetari i zakonshëm në këtë vend, është opozita jonë reale, është ajo që duhet të fitojmë patjetër’’ tha kryesocialisti i Tiranës.
Për qytetarët e thjeshtë tha Tahiri, shteti mbetet ai zyrtari i administratës dhe për këtë është e domosdoshme që qytetarëve t’i ofrojmë rrugën ligjore për zgjidhjen e një problemi në mënyrën më të shpejt pasi vetëm kështu mund të shmangim korrupsionin.
‘’Ashtu siç ne dhe vetëm ne, kemi detyrimin që rrugën për të marrë shërbimin qytetari ta ketë më të lehtë nëpërmjet rrugës ligjore. Në qoftë se rruga ligjore është e gjatë, madje e stërzgjatur, në qoftë se është e mundimshme, në qoftë se ia bën jetën ferr qytetarit sigurisht që rruga e korrupsionit është më e lehtë. Në qoftë se të marrësh një shërbim në një zyrë administrate, të ndjekësh rrugën ligjore, procedurën, të bëhet e gjatë dhe aq e gjatë sa të vjen më shkurt t’i biesh nga prapa, sigurisht që qytetari do të zgjidhë hallin më shpejt sesa të merret me ndërtimin e shtetit. Nga njëra anë ne na duhet të jemi bashkë dhe të ndihmojmë njëri – tjetrin. Nga ana tjetër ne na takon të reformojmë të gjithë sistemin në mënyrë që rruga ligjore për qytetarin të jetë më e kollajta. E që mos të detyrohet njeri që t’i bjerë shkurt nëpërmjet rrugës joligjore sepse të kalosh nëpër shtegun e rrëmujës me letra, e procedura, e zyra, e zyrë pas zyre, e zyrtarë e lloj-lloj ngjyrash që të dalin përpara dhe ta bëjnë jetën ferr, ajo është sigurisht e pamundur. Prandaj ne na duhet të fitojmë kohën që kemi humbur miq’’, theksoi ndër të tjera Tahiri. /b.d