Qeveria shqiptare merr pjesë në sesionin e 41 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, që zhvillohet në Krakow, Poloni në datat 2-12 korrik 2017. Delegacioni shqiptarë përfaqësohet nga Ambasadorja e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Republikës së Shqipërisë pranë UNESCO-s, Venera Domi, drejtoresha e Institutit të Monumenteve, Arta Dollani dhe Kozeta Angjeliu, Drejtoria e Trashëgimisë Materiale dhe Muzeve në Ministrinë e Kulturës.
Delegacioni shqiptar raportoi për gjendjen aktuale në Qendrat Historike Berat dhe Gjirokastër, në mbrojtje të UNESCO-s dhe shprehu edhe njëherë vullnetin dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duke theksuar se në çdo hap respektohen rekomandimet e UNESCO-s, ndërsa raportoi se shteti shqiptar ka ndërhyrë në një numër të konsiderueshëm objektesh në Gjirokastër dhe në Berat, si dhe ka ngritur disa operacione financiare me vlerë të lartë siç është projekti i restaurimit të Qafës së Pazarit me Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, marrëveshja me Bankën Botërore për Beratin dhe Gjirokastrën.
Sesioni 41-t i Komitetit të Trashëgimisë Botërore miratoi pa vërejtje progres-raportin e paraqitur nga Qeveria shqiptare për Qendrat Historike Berat e Gjirokastër.
Sesioni 41-t i UNESCO-s vlerësoi bashkëpunimin shumë efikas që është vendosur me Ministrinë e Kulturës dhe vuri theksin edhe në një fushë tjetër me rëndësi si mjedisi, ku edhe këtu UNESCO po jep një asistencë të vyer me implementimin e projektit për forcimin e menaxhimit të përbashkët të Liqenit të Ohrit, në përfundim të të cilit pritet që pjesa shqiptare të regjistrohet në Listën e Trashëgimisë Botërore, duke iu bashkuar pjesës maqedonase.
Komiteti i Trashëgimisë Botërore përbëhet nga 21 përfaqësues të Shteteve Pjesëmarrëse në Konventë, të cilët po diskutojnë në lidhje me mbrojtjen e trashëgimisë botërore kulturore dhe natyrore të zgjedhur nga Asambleja e Përgjithshme e Shteteve Pjesëmarrëse në Konventë.