Majlinda Bregu, deputetja e PD-së që bën pjesë në grupin anti-Basha ka folur sot me tone të forta në mbledhjen e kryesisë, ku do të shqyrtohen kandidaturat për kreun e kësaj partie, pas humbjes së 25 qershorit.
Ajo tha se fryma e përçarjes dhe linçimit publik për këdo që fliste ka nisur prej 4 vjetësh.
“Ia kam thënë Bashës këtu në mbledhje, ka 4 vite që ka nisur përçarja e PD. Fryma e përçarjes dhe e linçimit publik për këdo që fliste e kërkonte të shihte brenda nesh çfarë nuk shkonte për humbjet tona. Siç e sheh kjo mbledhje nxori nevojën e tmerrshme që duhet të kishim folur para kësaj mbledhje. Të debatonim, flisnim, bërtisnim po të doni, por të shihnim njeri-tjetrin në sy për gjëmën që na ka zënë”, ka deklaruar Bregu.
Me gjithë rreshtimin në grupin anti-Basha, Bregu tha se nuk i intereson kryetari i PD dhe as varianti një kundër disave por ka theksuar se nuk mund t’i vihet kapak sikur nuk ka ndodhur asgjë.
“Nuk më intereson kryetari i PD. As që të merrem me variantin një kundër disave, disa kundër disave se kjo do të thotë shkatërrim përfundimtar i PD. Por ti vëmë kapak se kjo na ra e të dalim të frymëzojmë demokratët për beteja të reja, është tallëse. Si do i frymëzoni? Ua kam thënë prej vitesh këto po s’donit të dëgjonit as të shihnit ku po gremiseshim”, ëshë shprehur Bregu, raporton “BalkanWeb”./a.m.